Zjarri që shkrumboi një pjesë të mirë të katedrales së famshme të Parisit, Notre Dame, dje pasdite, ka marrë vëmendjen dhe trishtimin e të gjithëve. Jo vetëm për vlerat e jashtëzakonshme dhe simbolin që ka mbajtur për më shumë se 8 shekuj kjo ndërtesë unike, por edhe sepse “Zonja e Parisit” është konsideruar gjithmonë simboli i krishtërimit dhe ikonë e pazëvendësueshme.

Megjithatë, një ditë pas shkrumbimit të katedrales, mediat ndërkombëtare kanë shkruar se zjarri që ra mbi Notre Dame ishte paralajmëruar 500 vjet më parë nga profeti francez, Nostradamus, në koleksionin e tij që parashikon ngjarjet e së ardhmes.

“Një simbol i krishterimit në Francë apo Spanjë do të digjet në pastrimin e zjarrit. Zonja jonë do të qajë për të gjithë ne dhe do të shkëlqejë në distancë. Me ardhjen e pranverës, një kishë e të gjitha kohërave do të digjet për mëkatarët”,- ka parashikuar Nostradamus. Profeti francez duhet ta ketë shkruar këtë në një letër 500 vjet më parë, madje edhe mënyrën se si do të digjej një pjesë e mirë e katedrales më të vizituar në Europë.

Profecia e tmerrshme shihet edhe nga të dhëna të ndryshme astrologjike deri më 15 prill 2019. Edhe astrologia britanike, Jessica Adams, beson se ngjarja e një dite më parë ishte një parashikim i Nostradamusit që u bë realitet.

Notre Dame u ndërtua në vitin 1267 si tempulli i parë i krishterë në Paris. Emri i saj do të thotë “Zonja jonë” dhe i dedikohet Virgjëreshës Mari. Çdo vit, ajo vizitohej nga 14 milionë turistë.