Psikologët sjellin shembuj nga më të ndryshmit për mënyrën e prindërit, sjelljet e fëmijëve dhe ato të prindërve. Asnjëherë nuk gjendet një recetë perfekte, ashtu siç nuk gjendet edhe “kura” për t’i pasur gjithmonë fëmijët të mbarë, të disiplinuar që mos të të sjellin kurrë probleme.

Për psikologët e familjeve, prindërimi është një “profesion” i vështirë gjatë gjithë jetës dhe shumë i vështirë në faza të ndryshme të rritjes së fëmijëve. Kurrë nuk “doli në dritë” prindi ideal, por as nuk u mësua cili prind është më i suksesshëm. Dilema prind tolerant apo autoritar duket se do të vijojë gjatë në shoqërinë tonë… Dhe gjithmonë ky konflikt i hapur prind–fëmijë do të justifikohet si konflikt brezash.

Për të folur për raportin e ngushtë prind–fëmijë, pasditen e sotme, në studion e saj, Rudina Magjistari kishte të ftuar këngëtaren dhe moderatoren Gerta Heta, sipërmarrësen Artenisa Ozaj, psikologen Anxhela Peza dhe fotografin Olsi Beci.

Secili prej të ftuarëve ndau me publikun sfidat që kalon gjatë procesit të prindërimit, shoqëruar me shembuj të ndryshëm nga edukimi i fëmijëve të tyre.

Duke shkëmbyer përvoja, situata dhe të papritura nga jeta prindërore, edhe Rudina ndau me publikun një prej shqetësimeve të të gjithë prindërve – kapriçot e fëmijëve dhe skenat në publik kur kërkojnë të kenë me çdo kusht një lodër, një ëmbëlsirë apo diçka rastësore që u ka zënë syri.

Rudina është e bindur se të qenit i vendosur dhe i palëkundur kur i thua “JO” fëmijës në publik i bën mirë atij, e disiplonon dhe e bën të kuptojë që jo të gjitha tekat mund t’i plotësohen. Nëse je e vendosur, edhe nëse shtrihet në market, do të pushojë shpejt dhe herën e dytë ose do të qajë më pak, ose nuk do të qajë më.

… në momentet kur ka kërkuar telefonin me patjetër, kur ka bërë skena të qari, kur i është thënë JO e prerë, nuk është diskutuar më. Ajo ka vazhduar të qajë dhe ka pushuar. Ne këtë gjë e kemi praktikuar shpesh dhe ajo e kërkon shumë pak telefonin, shumë, shumë rrallë”, – nisi të tregojë Rudina dhe pas kësaj, rrëfeu edhe një situatë, në të cilën, megjithëse ishte ndier pak në siklet në publik, ishte e vendosur deri në fund për atë që donte t’i tregonte Mias.

Më ka ndodhur një herë në një supermarket. Isha duke paguar në atë moment dhe ajo (Mia) po kërkonte të blinte diçka të ëmbël (ato gjërat tunduese aty te kasa – strategji shitjeje që i bën të gjithë fëmijët të bien viktima). Mbaj mend që vajza filloi të qante se po kërkonte atë… U ndjeva në siklet nga njerëzit dhe batuta që thashë ishte: “Më falni, po jemi në proces edukimi." Vazhdova të paguaja lirshëm dhe i thashë “po të pres këtu mami, sa të mbarosh së qari jam duke të pritur këtu." Dhe mbaroi… 

Nëse ju të gjithë po mendoni që është treguar e rreptë, në fakt, për psikologët është një “bravo” që duhet ndjekur nga çdo prind… Rudina e paska gjetur ‘recetën’ e edukimit me Mian, ndaj nëse ndiheni në siklet në ndonjë rast të ngjashëm, përdorni batutën e saj: “Jemi në proces edukimi…”