Tani e gjithë vëmendja është te bebi mbretëror që do të vijë në jetë nga momenti në moment. Megjithatë, dukesha ka marrë një vendim para se fëmija i saj të vijë në jetë. Duke qenë se Meghan po përgatitet për të filluar një fazë të re në jetën e saj, ajo ka zgjedhur të largojë një herë e mirë nga jeta njerëzit që e kanë lënduar dhe sigurisht që një prej tyre është edhe i ati.

Dihet tashmë që marrëdhënia mes dukeshës dhe babait të saj, Thomas Markle nuk është aspak e mirë dhe kjo është më se e kuptueshme pas gjithë atyre që ai bëri. Duke filluar që nga akuzat se e bija e kishte mohuar, te shtirja e një ataku kardiak e deri te plani që bëri me paparacët për të fituar disa para. Sipas ekspertes së fmailjes mbetërore dhe autores së librit “Harry and Meghan: Life, Loss, and Love”, Katie Nicholl, Meghan është e zhgënjyer nga sjellja e familjarëve të saj dhe ka vendosur t`i shkëpusë një herë e mirë marrëdhëniet me ta.

Edhe pse prej disa kohësh babai i Meghan-it nuk është shfaqur në media, stresi që ai i ka shkaktuar të bijës për muaj me radhë është i madh. Këtë gjë Meghan e ka theksuar në një letër prej 5 faqesh që i ka dërguar të atit. Sipas Daily Mail, midis të tjerave në këtë letër shkruhej:

“Babi, po ta shkruaj këtë letër me një dhimbje në zemër. Nuk e kuptoj përse duhet të zgjidhje këtë rrugë duke mbyllur një sy para dhimbjes që po më shkakton. Veprimet e tua e kanë copëtuar zemrën time në një milion pjesë, jo vetëm sepse ke shkaktuar një dhimbje të panevojshme dhe të pajustifikuar, por edhe për faktin se zgjodhe të mos tregosh të vërtetën. Këtë nuk do ta kuptoj kurrë.”