Beyonce në Coachella, 2018

Dje u publikua dokumentari i Beyonce-s, “Homecoming” si dhe albumi me po të njëjtin emër. Si rrallëherë, këngëtarja foli hapur sesi shtatzënia me binjakët e saj, Rumi dhe Sir i ndryshoi jetën. “Duhet të isha në Coachella në 2017-ën, por mbeta papritur shtatzënë. Edhe më i papritur ishte lajmi se ishin binjakë. Ajo shtatzëni nuk ishte aspak e lehtë. Trupi im kaloi gjëra të cilat nuk e kisha menduar se do të mund t`i përballoja. Isha 99 kilogramë ditën që linda. Shtatzënia ishte shumë e vështirë, kisha presion të lartë të gjakut. Zemra e njërit prej fëmijëve ndaloi disa herë, kështu që u detyrova t`i nënshtrohesha operacionit”, -ka treguar Bey për Entertainment Tonight.

Ajo ka vazhduar të rrëfejë se edhe pas lindjes e kishte shumë të vështirë ta merrte veten. Gjatë provave për Coachella-n e vitit 2018 nuk ishte e lehtë, pasi trupi dhe mendja e saj nuk bashkëpunonin me njëri-tjetrin duke qenë se mendja i rrinte te fëmijët. Madje, mendonte se nuk do të ishte më kurrë e njëjta fizikisht.

Megjithatë, me shumë mundim, ajo ia arriti t`u rikthehej formave të saj të mëparshme. “Në mënyrë që të përmbushja objektivat mbajta një dietë pa bukë, pa karbohidrate, pa bulmet, pa mish, pa peshk, pa alkool. Isha e uritur gjithë kohën”, -rrëfen Beyonce.

Beyonce në Coachella, 2018

Në fund, këngëtarja tregon se mësoi shumë nga gjithë kjo eksperiencë dhe më e rëndësishmja, mësoi se nuk duhet të bëjë më shumë nga sa mund të përballojë.

Më parë mund të bëja prova për 15 orë me radhë, e sforcoja veten më shumë nga sa mund ta përballoja. Ndërsa tani kam fëmijë, kam një bashkëshort, duhet të kujdesem për trupin tim. Nxora një mësim të mirë: Nuk do ta sforcoj kurrë më veten aq shumë”, -shprehet ajo në fund të dokumentarit.