Ka pak kohë që këngëtarja Soni Malaj ka lajmëruar për koncertin recital që do të mbajë më 1 Maj, në Amfiteatrin e Liqenit Artificial në Tiranë. Sot, nga studio e “E Diell”, ajo rrëfeu disa detaje nga ky koncert, këngët dhe performancat që do të prezantojë për adhuruesit e muzikës së saj, por edhe për pengun më të madh që ka në prag të këtij koncerti.

E pyetur nëse do t’i mungojë i ati ditën e koncertit, Soni tha e përlotur: “Unë kam dashur shumë që ai të më shikonte në një recital, sepse gjithmonë më ka parë në festivale. E vuante shumë pjesën emocionale dhe pjesën e çmimeve, madje më është lutur të konkurroj me këngën ‘Ndarja’ në ‘Top Fest’, sepse më thoshte se emocionohej kur e këndoja.”

Ky moment emocionues ishte i tillë edhe për të gjithë publikun, jo vetëm për të gjithë të pranishmit në studio, por edhe për moderatoren Fjoralba Ponari, e cila njëlloj si këngëtarja e pati të vështirë t’i përmbajë lotët.

Soni rrëfeu edhe sat ë vështirë e ka pasur ta menaxhojë divorcin, por edhe ndarjen nga jeta e të atit: “Më beso që me ndarjen nga jeta të prindit nuk ka krahasim, të tjerat janë pjesë të jetës, zgjedhjet nuk shkojnë ashtu siç duhet, por gjëja më e tmerrshme në jetën e një njeriu është kur ndahet nga jeta një familjar. Nuk kalohet lehtë, më besoni”,- tha ajo e përmalluar.