Prej 20-vjetësh, gazetarja e njohur e ekranit ka qenë një nga figurat identifikuese të Televizionit Shqiptar, nga i cili ka fituar mjaft përvojë. Por vetëm pak kohë më parë, Aulona Minga e ndërpreu marrëdhënien e gjatë me TVSH-në për të nisur një projekt të ri në CNN. Edhe këtu, Aulonës i është besuar programi i mëngjesit së bashku me gazetarin Blendi Salaj.

Pasditen e sotme, Aulona Minga ishte e ftuar në “Rudina” për të rrëfyer për eksperiencën e saj të re pranë një ekrani të ri dhe pas dy dekadave, ndihet mjaft mirë profesionalisht, madje është e bindur që ka bërë lëvizjen më të mirë për karrierën e saj.

Siç rrëfeu Aulona, lëvizja nga TVSH-ja nuk ishte një zgjidhje e lehtë, për shumë arsye. Por vendimi ishte i saj, pa ndikime dhe i menduar mirë. Sot, pasi kanë kaluar disa muaj nga puna e re, ndihet shumë mirë dhe e kënaqur me veten për vendimin që mori.

Por, nëse të gjithë ne e njohim Aulonën nga ekrani, dimë që gazetaria është profesioni i saj i parë. Në fakt, jo. Gazetarja zbuloi sot nga studio e Rudinë se mund të ishte një mësuese e gjuhës ruse, sepse studimet e larta i ka mbaruar për këtë degë. Për fat të keq, nuk e ka ushtruar si profesion dhe njëkohësisht gjen pak terren për ta përdorur gjuhën ruse.

Por, si simbol të saj dhe me kërkesë të Rudinës, Aulona kishte marrë me vete një matrioshkë, një prej simboleve të kulturës dhe traditës ruse. Ky objekt i kujtonte Aulonës periudhën kur, së bashku me një grup studentësh, u përzgjodh për një udhëtim në Rusi…

Ajo i kujton me shumë nostalgji vitet e shkollës, ashtu siç kujton edhe atë udhëtim me autobus deri në Rusi. Është fanatike për ta ruajtur gjuhën e bukur ruse, që është një melodi e ëmbël, ndaj edhe përpiqet të kujtojë disa nga vargjet e autorëve të famshëm të cilët i ka studiuar në shkollë.

Surpriza tjetër ishte edhe Rudina. Përgjatë gjithë jetës, moderatorja e njohur e ekranit ka dëgjuar gjuhë ruse, sepse e ëma ka qenë mësuese e kësaj gjuhe, por veç emrit të saj, Rudina nuk mësoi asnjëherë asnjë fjalë tjetër. Sot, meqenëse emrin e saj di ta shkruajë me germa ruse, ia tregoi edhe Aulonës në një fletë.

Të dyja moderatoret ndanë të njëjtin mendim kur thanë se, ndonëse gjuha ruse përdoret rrallë, është gjuhë e rrallë e me melodi, është gjuhë kryeveprash e gjuhë artistësh, gjuhë e pastër dashurie.