Fotot e Ronës me fustan të bardhë, shtatorin e vitit të kaluar, habitën këdo në rrjet, të madh e të vogël. Këngëtarja e njohur kurorëzoi në martesë lidhjen e saj të dashurisë me Florin, por zgjodhi ta bëjë këtë fare pa zhurmë. Ndryshe nga shumë personazhe të tjerë të njohur, Rona ka qenë gjithmonë e rezervuar për jetën personale, madje partneri i saj ishte dhe vazhdon të jetë një profil i ulët publik dhe për këtë arsye, edhe këngëtarja nuk ua rrëfeu të gjithëve datën e martesës.  

Megjithatë, komentet nuk u ndalën, as pyetjet pse zgjodhi të martohet në fshehtësi. Për këtë, e ftuar në “Nd’rrimin e Natës”, në Klan Kosova, Rona sqaroi: “Nuk kam mundur të marr një altoparlant dhe të dal në shesh e të tregoj se po martohem. Asgjë s’kam bërë në mënyrë të fshehtë. Kam organizuar dasmën, kanë qenë të gjithë të ftuar. Nuk jemi tipa që dalim dhe ekspozohemi”, – tha ajo duke u dhënë përgjigje të gjithëve që kanë menduar se nuk ka dashur të tregojë asgjë për ditën e saj të madhe.

Madje, edhe dasmën ajo thotë se e ka bërë për prindërit, sepse për vete nuk do ta bënte: “Ceremoninë e kam bërë për t’u plotësuar dëshirën prindërve”,- tha Rona.

Florin dhe Ronën i pamë për herë të parë krejt papritur në fotot e dasmës. Deri në atë çast, askush nuk kishte ditur gjë për lidhjen e saj. Madje, lidhje 5-vjeçare.