Kanë kaluar disa muaj që nga 30 dhjetori, dita kur aktorja e njohur turke, Deniz Çakır, pati një incident me një grup vajzash nga Arabia Saudite. Tashmë, për shkak të fyerjes që u bëri, rrezikon burgun deri në 1 vit.

“Poshtërim publik” është akuza që rëndon mbi aktoren 37-vjeçare, e njohur në Shqipëri si Mejrem e serialit “Familja e Madhe”. Ajo akuzohet se ka fyer disa vajza të mbuluara në një lokal në Stamboll, në fund-dhjetorin e vitit të kaluar. Çakir ishte duke konsumuar alkool në lokalin e një qendre tregtare, kur vuri se se disa vajza në tavolinën ngjitur po e fotografonin.

Pas debatit që shkëmbyen për pak minuta, në të cilin u përfshinë edhe punonjësit e lokalit, Çakir iu drejtua vajzave të mbuluara me fjalë fyese: “Ky është shteti i Ataturkut, nuk është Arabia Saudite. Këtu nuk është vendi juaj, ikni në Arabi, ikni në Iran”.

Prokuroria kërkon dënimin e aktores me akuzën “poshtërim publik të një pjese të popullsisë mbi baza sociale, klasore, fetare, gjinore dhe krahinore”. Sipas kësaj akuze, aktorja rrezikon 6 muaj deri në 1 vit burg.

Megjithatë, në dëshminë e saj, Çakir tha se gjatë gjithë jetës ka qenë kundër çdo lloj forme diskriminimi, por në këtë rast nuk kishte pasur qëllim të keq. Në të vetmen fjali ku përmendet Arabia, ajo tha se ua kishte thënë personave në tavolinën e saj dhe jo arabeve. “Edhe pijet që pimë në lokal, edhe fotogratë që shkrepim, shihen me paragjykim. Këtu nuk është Arabi, kjo është Turqia e Ataturkut”,- pretendon të ketë thënë Çakir, e cila i hedh poshtë akuzat.