Pse jetoj? Pse kam ardhur në këtë botë? Çfarë po bëj o Zot? Ç’lidhje kam unë me universin? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që secili prej nesh ia bën vetes të paktën një herë në jetë. Mbase asnjëherë nuk e kemi marrë dot përgjigjen, mbase asnjëherë nuk dimë të reflektojmë mbi to, por misteri na shoqëron për gjithë jetën, madje shpeshherë bëhet shoqërues i një rrugëtimi me një qëllim të caktuar – të zbulojmë çfarë fshihet përtej.

Shumë vite para se të krijohej "The ReBorn Experience" – ajo hapësirë lirie që u jep mundësi të gjithëve ta njohin veten në thellësi, Diana Pushi vazhdonte të studionte për t’u rritur profesionalisht në fushën e saj, të kishte ambicie për të tjera arritje, luftonte për përmbushjen profesionale dhe në këtë mënyrë vazhdoi edhe pasi shkoi në Kanada, në vitin 1999, bashkë me familjen e saj.

Si një grua tipike shqiptare, Diana gëzon të gjitha cilësitë e grave shqiptare. Por ndryshe nga këto të fundit, ajo zgjodhi të mos e lërë jetën e saj në monotoni pas largimit në Kanada, përkundrazi. Edhe pse atje vijoi rrugën drejt ngritjes në karrierë, një boshllëk që ndiente brenda vetes nuk po i largohej: “Diana nuk ishte e lumtur, ishte e lodhur, e dëshpëruar. La vendin e saj me një dëshpërim të madh, la prindërit vetëm dhe u kthye në një robot që punonte dhe studionte pa fund….”, – thotë ajo duke iu referuar vetes në një intervistë të mëhershme në Top Channel.

Derisa, për fat të keq dhe të mirë njëkohësisht, realiteti i krijoi disa situata tepër të vështira, përballë të cilave kishte vetëm dy zgjedhje: të dorëzohej totalisht ose ta merrte pak më lehtë dhe të përpiqej të menaxhonte gjithçka në një formë tjetër.

Në botëkuptimin e rritjes së saj, ajo nuk e kishte pasur kurrë edukimin për të menaxhuar jetën dhe formimin shpirtëror të saj, për të menaxhuar jetën familjare nëpërmjet kuptimit dhe menaxhimit të ligjeve të energjisë në jetën e përditshme.

Një dhimbje e vazhdueshme e shpinës, nga stili i jetës, nga lindja dhe rritja e së bijës, Keidit, përqëndrimi te suksesi, te karriera, te edukimi profesional – ky botëkuptim i ngushtë po i krijonte stres të vazhdueshëm. Për këtë arsye iu drejtua dy mjekeve, njëra e drejtoi te meditimi, ndërsa tjetra te “healer”, një terapiste nga e cila, për herë të parë në jetën e saj, Diana dëgjoi për mjekësinë energjike… 

Që prej asaj dite, gjithçka ndryshoi. Filloi rruga drejt meditimit dhe drejt një energjie të re, kuruese për shpirtin. Diana ktheu pasionin për të studiuar në këtë fushë të re dhe sot është një konsulente dhe strategjiste e transformimit njerëzor. Ajo ndihmon njerëzit të gjejnë veten dhe rrugën e tyre drejt një mirëqenieje dhe suksesi që është specifik për ata si individë. Kjo ishte një bekim dhe një shpëtim në jetën e Dianës….

Po Keidi?

Sot ajo është një mentore intuitive, hipnoterapiste dhe katalizatore ndryshimi në jetën e njerëzve, duke përdorur të dyja, shkencën dhe spiritualitetin, por as për Keidin nuk ishte e thjeshtë “hyrja” në këtë rrugë. U duk si rastësi ajo që i ndodhi në vitet e adoleshencës, por gjithçka ishte për një qëllim – të niste terapinë në natyrë, të largohej nga rebelizmi i një adoleshenteje (edhe pse ishte fare normale si të gjithë bashkëmoshatarët e saj) dhe të gjente një hapësirë paqeje të brendshme, të cilën, më vonë do ta përdorte edhe për të kontrolluar energjitë e shumë njerëzve të tjerë, madje edhe atë të së ëmës.  

Sot, ato janë bashkë. Një “paketë” për të cilën secili prej nesh ka nevojë. Rastësi apo jo ajo, të qenit në këtë pikë (The ReBorn Experience) i bën nënë e bijë të na tregojnë ne të gjithëve se qëllimi për të cilin kemi ardhur në jetë realizohet përmes njohjes së vetes. Pasi u përpoq të njihte të bijën në moshën e saj më delikate, Diana tha: “Nga dashuria e madhe për fëmijën, unë u dorëzova, por fillova të kërkoj një lloj suksesi tjetër. Mesazhi që dua të përcjell është se “duhet t’i njohim fëmijët”, jo nga jashtë, por esencën e tyre të brendshme….”

Universi është krijuar për të ndarë energji, të mirë ose jo. Nëse arrini të prekni të parën, konsiderojeni veten të bekuar. Nëse akoma jo, atëherë filloni ta kërkoni! Ç’po bëni akoma?

Për të mësuar më shumë për Dianën, Keidin, "The ReBorn Experience", dhe për të marrë kodin tuaj njerëzor, klikoni KËTU.