Pasi kurorëzoi historinë e saj të gjatë të dashurisë me partnerin e zemrës, Florin, në një ceremoni martesore diskrete të cilën ajo zgjodhi që ta ruajë të tillë për veten dhe familjarët, larg syrit kureshtar të medias, këngëtarja e njohur kosovare është në pritjen e ëmbël. Lajmi nuk është hamendësim i portaleve rozë, por një konfirmim absolut që vjen nga vetë artistja.

Rona Nishliu, ka zgjedhur një mënyrë shumë origjinale në fakt për të ndarë lajmin emocionues me të gjithë, pikërisht mbrëmjen e djeshme kur edhe promovoi albumin e saj të ri me titull "Mindil", i cili përmban elementë të trashëgimisë kulturore shqiptare. Sipas "RTV21", Rona shkruan në kopertinën e albumit përmes një dedikimi të veçantë se shumë shpejt do të bëhet nënë dhe se ky album i dedikohet fëmijës që pritet të vijë në jetë pas pak muajsh, si edhe gjithë fëmijëve të tjerë që duhet të njohin më shumë motivet tona kombëtare.

“Ky album shkon për ty, që jam duke të mbajtur prej disa muajsh brenda meje, duke pritur ende për takimin e parë. Ti dhe të gjithë fëmijët duhet të zbuloni se çfarë e inspiron muzikën tonë kombëtare dhe regjionale. Pas dëgjimit të këngëve të mia, hulumtimit për performancat dhe këngët origjinale të pazëvendësueshmeve, Nexhmije Pagarusha, Rexho Mulliqi, Rifat Kukaj, Tish Daija, Rashid Krasniqi, Muharrem Qena, Jusuf Gërvalla, MAK Roc Band, Esma Redzepova, Zajzi Trio etj. Jam falenderuese për të gjithë autorët dhe performuesit dhe trashëgimin e tyre të pavdekshme dhe inspirimin që ende bartin”, shkruhet në të.

Ne i urojmë mbarësi Ronës në këtë rrugëtim emocionues siç është mëmësia!