Ditën e djeshme në “Top Story” është denoncuar një skandal që lidhet me abuzimin ndaj ushqimeve. As për ushqimet që konsumojmë nuk mund të jemi më të sigurt, pasi në to janë gjetur gjurmë të materialeve të ndërtimit. “Top Story” transmetoi se në ushqime po përdoren pluhur tulle dhe pluhur allçie. Pluhuri i tullave përdoret si ngjyrues, ndërsa pluhuri i allçisë për të forcuar produkte si djathi.

Analiza instrumentale ka bërë të njohur edhe përqindjen e elementëve që nuk kanë qenë të njohura paraprakisht nga ne. Nuk na ka shkuar mendja që janë përdorur produkte që janë totalisht të papajtueshme me përbërësit ushqimorë. Pluhura materialesh inorganike, pluhura materialesh inerte. Si ngjyrues janë përdoruar po materiale të tilla, por s’po hyj në detaje”, -u shpreh Prof. Dr Ilirjan Malollari, ekspert ushqimi për lëndët kimike.

Më tej, ai tregoi se ka fakte se nga materialet e riciklueshme që përdoren për paketim, migrojnë elementë kancerogjenë në ushqime të paketuara, si: mishi i grirë, kërpudhat, gjalpi, qumështi, vaji i ullirit, uji, lëngjet e ndryshme.

Në paketimet ushqimore bashkëjetesa nuk është asnjëherë miqësore mes produktit dhe paketimit. Nga paketimi tek ushqimi emetohen, migrojnë produkte kancerogjene. Praktikisht ne kemi prova se ekzistojnë përbërës që nuk kanë qenë në produktin ushqimor në momentin e prodhimit të tij. Nga këto produkte do të përmendja qumështin, vajin e ullirit, ujin. Ndodhen produkte që të analizuara me aparaturë instrumentale të hollë, kanë rezultuar produkte të tilla që sulmojnë drejtpërdrejt shëndetin e njeriut”, -tha Prof. Dr. Ilirjan Malollari.

Burimi: Top Channel