Kur vjen puna tek perfeksioni, ky si detaj qëndron në nivelet më të larta tek artistja dhe moderatorja e njohur shqiptare. Duket se ajo asgjë nuk ia beson rastësisë, përkundrazi. Detajiste në maksimum, Luana Vjollca na ka treguar së fundmi edhe një anën tjetër të profesionalizmit të saj, duke na konfirmuar se ajo kujdeset vetë për çdo gjë që ka lidhje me punën.

Si në rastin e fundit, ku ajo ka ndarë një pasazh nga videoklipi "Sonte" të cilin e ka fshirë për arsye që ajo i bën me dije përmes një postimi të fundit në Instastory. Kështu, duke marrë shkas nga ditëlindja e grimieres Sellma Kasumoviq, e cila është edhe një nga bashkëpunëtorët e besuara të Luanës, gjë të cilën ato e kanë bërë publike përmes postimesh të ndryshme, moderatorja ka dashur të tregojë një anën tjetër të medaljes, nga realizimi i videoklipit të këngës së saj të fundit, që duket se ajo çka shohim në ekran është vetëm produkti final i gjithë projektit, sepse pas tij qëndron një punë kolosale e bërë nga të gjithë personat e angazhuar në realizimin e tij.

Luana ka treguar përmes një videoje dhe një fotoje se ka pasur një skenë që nuk ka dalë në klip, ku ajo shfaqet e veshur me fustan të tyltë të bardhë, disa duar të kërcimtarëve shoqërues, ndërsa artistja shkruan: "Skena që nuk doli në klip. Dhe, Sellma që më ndreq disponimin", cilëson ajo.

Dhe sigurisht, ajo është e vendosur që përpara publikimit të çdo kënge të re, gjithçka të marrë vulën e perfeksionit në detaje dhe miratimin e saj përpara se ta ndajë me fansat e shumtë dhe ndjekësit në rrjetet sociale.