Mononukleoza ose “mono” është një infeksion viral që mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me gripin, që zakonisht shfaqen 4-6 javë pas infektimit. Ky infeksion quhet edhe “sëmundja e puthjes” sepse virusi përhapet shpesh përmes puthjes.

Nga shkaktohet?

Shkaku kryesor i sëmundjes së puthjes është virusi Epstein-Barr, megjithatë mund të shkaktohet edhe nga viruse të tjera.

Mono zakonisht nuk është shumë e rëndë. Shumë të rritur të ekspozuar ndaj këtij virusi, kanë krijuar antitrupa. Ata fitojnë imunitet dhe nuk preken më nga mono.

Simptomat

Mund të ndiheni më të lodhur se zakonisht dhe keni temperaturë dhe dhimbje fyti. Nodujt limfatikë, indet që normalisht veprojnë si filtra, mund të ënjten poshtë krahëve ose në faqe dhe në ije. Mund të keni gjithashtu dhimbje në të gjithë trupin, bajame të fryra, dhimbje koke dhe acarim të lëkurës.

Kush preket?

Mononukleoza mund të prekë të gjitha moshat. Megjithatë, mundësia më e madhe për ta marrë monon me gjithë shenjat dhe simptomat e saj, është nëse jeni adoleshent ose i ri në fillim të 20-ave.

Si përhapet?

Virusi që shkakton monon transmetohet përmes pështymës, kështu që ju mund ta merrni atë përmes puthjes, por gjithashtu edhe nëse ekspozoheni ndaj kollitjes apo teshtimës së dikujt ose duke pirë në të njëjtën gotë ose duke përdorur të njëjtën lugë me një të sëmurë. Mund të kalohet edhe nga lëngje të tjera trupore, si gjaku dhe sperma.

Kur është ngjitëse?

Mund ta përhapni sëmundjen tek dikush tjetër edhe pa e ditur që e keni këtë infeksion. Kjo sepse virusi ka një periudhë inkubacioni prej 4-7 javësh para se të vëreni ndonjë simptomë.

Gjithashtu mund të mos e kuptoni se është mononukleozë sepse simptomat nuk shfaqen të gjitha njëherësh. Disa studime tregojnë se mund ta transmetoni virusin edhe pas 18 muajsh pas shërimit.

Diagnoza

Konsultohuni me mjekun lidhur me të gjitha simptomat që keni. Ai do t’ju ekzaminojë, duke kontrolluar ndoshta nojdut limfatikë shpretkën dhe mëlçinë.

Në disa raste mund të nevojitet kryerja e analizave të gjakut për antitrupat Epstein-Barr, aktivitet të pazakontë të qelizave të bardha të gjkut ose ndryshime në mënyrën si funksionon mëlçia.

Trajtimi

As antibiotikët (që luftojnë bakteret) apo ilaçet antivirale nuk funksionojnë kundër mononukleozës.

Ibuprofeni ose acetaminofeni mund të ndihmojnë me dhimbjet e kokës, temperaturën dhe dhembjet e trupit, por nuk ka asnjë medikament që mund të kurojë apo edhe të shkurtojë kohëzgjatjen e sëmundjes. Mos i jepni asnjëherë aspirinë një fëmije të sëmurë me mono ose ndonjë virus tjetër sepse mund të shkaktojë sindromën e quajtur Reye, që mund të dëmtojë mëlçinë.

Çfarë mund të bëni

Është e rëndësishme që të pushoni, që të shmangni kështu ndërlikimet e mëtejshme. Pini sa më shumë ujë dhe lëngje të tjera që të mbani trupin të hidratuar. Gargara me solucion me ujë me kripë mund t’ju ndihmojë për dhembjet e fytit.

Parandalimi

Nuk ka ndonjë vaksinë për mononukleozën. Nëse ndonjë që njihni është i prekur nga ky infeksion, përpiquni që të mos keni kontakte të afërta (puthje), të paktën derisa të mos ketë më simptoma, sidomos temperaturë. I lani duart rregullisht dhe shmangni shkëmbimin e ushqimeve dhe pijeve, dhe sendeve personale si furça e dhëmbëve.

Burimi: JoTabu.al