Gjatë orëve të pasdites së kësaj të diele, pjesa më e madhe e vendit do të jetë nën mbizotërimin e vranësirave të shoqëruara me reshje e shtrëngata shiu. E njëjta situatë paraqitet edhe në ditët e javës së ardhshme. Sipas parashikimeve, pritet që edhe 10-ditëshi i parë i qershorit të jetë në kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Sipas Meteoalb, pritet shi në të gjithë vendin këtë të diel, ndërsa rrebeshe afatshkurtra në Qendër dhe Lindje deri në mbrëmje, kur moti përmirësohet në Jug dhe Qendër. Reshjet vijojnë në Veri e Verilindje me intensitet mesatar dhe lokalisht intensiv. Në veçanti, Juglindja, e prekur nga termetet e dy ditëve, mbetet sot me shi të dobët deri mesatar, situatë që vijon deri në mbrëmje kur moti përmirësohet gradualisht në këto zona.

E hëna mbetet me shi mesatar dhe lokalisht intensiv deri vonë pasdite, kur shiu pakësohet ndjeshëm në vend. E marta vijon me kthjellime e vranësira të herëpashershme, por me shira të përkohshëm vetëm në zona të izoluara Lindore. E mërkura sjell kryesisht kthjellime në territor.

Temperaturat janë ulur sot në mesditë, rënia vijon edhe të hënën, por e marta rrit lehtë temperaturat në vend, më e ndjeshme gjatë mesditës. E mërkura dhe në vijim sjellin rritje të ndjeshme të temperaturave; priten maksimume 30°C.