Nisi në fundjavën që sapo lamë pas zhurma për komedinë, që po tërheq, si me magji, publikun e Tiranës, drejt sallës së teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli”. U mbush plot ajo sallë për tre netë me rradhë, e gjasat që të ndodhë kështu edhe në ditët në vijim, nga 12 deri në 16 qershor, duket se janë të mëdha. Ndoshta sepse “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas”...s’është thjesht vetëm një komedi që të bën të kënaqesh së qeshur me humorin fin, por sepse përtej kësaj mbartet edhe drama e brendshme e çdonjërit prej personave me aftësi të kufizuar, edhe përpjekja e tyre për të jetuar, dashuruar, punuar normalisht si të tjerët, edhe mesazhet e forta sensibilizuese ndaj shoqërisë që duhet ta mbështesë e ta konsiderojë këtë kategori, në bashkëjetëse normale me ta.

Eshtë një miks ndjesish e mendimesh që të ndjell kjo vepër, e shkruar nga autori grek Yorgos Theodosiadis dhe e sjellë në skenën shqiptare sipas konceptit regjisorial të Donard Hasanit e Valdrin Hasanit (mbështetur nga Bashkia e Tiranës, e Fierit e nga Raiffeisen Bank).

Eshtë një lojë e jashtëzakonshme e tre karaktereve tejet ekstremistë nga njëri- tjetri, e tre aktorëve energjikë e gjithë plastikë (Ervin Bejleri, Romir Zalla, Alert Çeloaliaj) që të mban të mbërthyer fort në atë dinamikë që vështirë se e gjen në çdo shfaqje.

Eshtë absurditeti që nxit dialogje e lojë skenike shumë interesante, që shkakton  batuta e të qeshura pafund.

Spitha, djali që nuk flet është poet dhe punon në bibliotekë. Jovani që nuk dëgjon është një kuzhinier i jashtëzakonshëm dhe ka një restorant të tijin, ndërsa Theofani që nuk sheh, punon në një callcenter. Ata janë të sukseshëm në punët e tyre, bashkëjetojnë në një apartament duke u kuptuar shumë mirë me njëri- tjetrin. Jeta u shkon normalisht derisa në rutinën e tyre hyn një grua e bukur. Ata dashurohen pas saj, pa e ditur se po po marrosen pas së njëjtës grua (Jorida Metës). Normaliteti në atë shtëpi tronditet pikërisht në momentin kur ajo hyn aty e ata përballen me këtë të vërtetë. Nëpërmjet peripecive komike, ata përmbledhin dhe plotësojnë aftësitë e njëri- tjetrit, duke u përpjekur secili që ta bëjë atë grua për vete. Pra duke plotësuar njëri- tjetrin ata mund të përjetojnë emocione të mëdha, të jetojnë si të mos kishin asnjë aftësi të kufizuar. Ata pra mund të jetojnë si gjithë të tjerët. Duke e bërë dhe publikun të jetojë qoftë edhe për pak momente me ankthin, gëzimin, dëshirat e pasionet e tyre. E mbi të gjitha duke e bërë publikun të kënaqet, të shkrihet së qeshuri pafund, deri dhe në batutën e fundit, deri dhe në sekondën e fundit.