Ndodh shpesh që Rudina Magjistari t'i bashkohet ose të jetë kundër mendimit të të ftuarëve në lidhje me tema të ndryshme që trajton në programin e saj, por gjithmonë di të jetë objektive para publikut, edhe nëse, në ndonjë rast si i sotmi, mund ta vërë pak në siklet. 

E ftuara e sotme, Ermira Çausholli, ka vetëm pak muaj që është bërë nënë për herë të katërt, por asgjë nuk e pengon që vajzën dhe portretin e saj ta ndajë me publikun.

Gjatë bisedës me Rudinën në studio, Ermira u shpreh se e ndjen për detyrë ndaj publikut që t'i shfaqë momentet e saj më të bukura duke përmendur faktin që shumë personazhe të njohur nuk e bëjnë këtë, pasi besojnë tek besëtytnitë.

"Unë them që për sa kohë kam kaq vite në televizion, e ndjej për detyrë që publiku duhet të shohë gjërat e mia më të mira. Do ishte shumë mirë që njerëzit publikë të shfaqen tek publiku i tyre me më të mirat e tyre. Pse jo edhe me fëmijët kur janë bebe. Shumë njerëz vuajnë nga besëtytnitë, jo mos e marrin mësysh, jo është e vogël mos e nxirr në foto, unë dua të ndaj me publikun çdo moment, edhe atë më të vështirin",- tha Ermira.

Pas kësaj deklarate, Rudina sqaroi se ajo vogëlushen e saj Mia, preferon të mos e shfaqë në ekran dhe shpesh nëpër foto, sepse për të do të ishte një peshë e madhe. Moderatorja u shpreh se edhe ajo ka shumë dëshirë të ndajë këto momente me publikun, por e përmban veten.

"Ndryshe nga ty, unë kam zgjedhur që për momentin mos ta shfaq vajzën time, sepse mendoj që vëmendja e tepërt mund të ishte një peshë e madhe për të. Dëshira ime është shumë e madhe që t'i ndaj këto momente, mezi e përmbaj veten për të mos e ndarë me publikun",- tha Rudina duke sqaruar kështu vendimin e saj për Mian.