Janë mësuar tashmë me njëri-tjetrin dhe ia dinë pikat e dobëta, por kur është fjala për t'i thënë publikisht gjërat që pëlqejnë ose jo te njëri-tjetri nuk është edhe aq e thjeshtë. Ndonëse janë një çift i hapur edhe në publik dhe mund t'i thonë rezervat për njëri-tjetrin pa doreza, të dy e ndiejnë se jo gjithçka mund ta ndajnë me të gjithë.

Në një intervistë ekskluzive për Class (LEXO KËTU) disa muaj më parë, Fatma nuk nguroi të thoshte gjërat që pëlqen dhe urren tek Alfio, madje ajo i kishte vendosur edhe një listë te koka e krevatit me udhëzime, të cilat shefi i kuzhinës duhet t'i respektojë çdo ditë. Ndër to, kishte edhe "mos e lër pa kapak furçën e dhëmbëve në tualet". Alfio kishte nisur t'i respektonte me bindje, sepse, sepse tij, ato e bëjnë njeri më të mirë. Por për ato dreq librash, nuk është se e gjen kohën, megjithëse Fatma vazhdon të mendojë se kush ka dëshirë, kohën e gjen gjithmonë...

Gjithsesi, edhe sot nga "B & E Caffee" ku ishte e ftuar, moderatorja e "Fun Day" nuk nguroi t'i thoshte tri gjërat që urren më shumë tek Alfio. Jo, në fakt tha dy, sepse nëse do të vazhdonte...

Kështu, pyetjes se cilat janë tri gjërat që urren më shumë te partneri i saj, Fatma nisi t'i përgjigjej: "Gërhet shumë, i shikon filmat gjithmonë me titra italisht (unë nuk e di mirë italishten). Kaq, se po thashë edhe të tretën pastaj, i bie të ndahemi... "

Ok, po ja që ka edhe një tretë. Të paktën një. Kur Fatma shkon në tualet dhe gjen furçën e dhëmbëve të Alfios pa kapak, ajo përfundon në kosh. Herën tjetër, Alfio blen një furçë të re... Ndërsa Fatma është e lumtur, sepse ai do të mësohet që të jetë më i kujdesshëm nëse nuk do të shpenzojë sërish.