Ku ka më bukur se fotot e realizuara në ditë të veçanta siç është ajo e fejesës, e sidomos fotot që janë spontane. Faith, 21 vjeçe, u bë padashur pjesë e një seti fotografik të një çifti që sapo ishte fejuar. Teksa çifti ishte duke realizuar një set profesional, Faith nuk mundi të rezistonte pa shkrepur një foto, teksa një dritë nga qielli binte drejt çiftit. Faith, e cila ndodhej në atë vend me të dashurin, u step të shkonte drejt çiftit t`i tregonte foton magjike që sapo kishte shkrepur, ndërsa tani është penduar që nuk e bëri.

Dhe çfarë bëjnë njerëzit në raste të tilla? I drejtohen internetit! Kush më mirë se njerëzit online mund ta ndihmojë Faith-in të gjejë çiftin në foto? Faith ka postuar foton në Twitter me mbishkrimin: “Në Yosemite, një çift po realizonte setin e fejesës, kur unë shkrepa një foto të ‘lavdisë’ së tyre. Një rreze drite kishte rënë mbi ta. Jam shumë emocionale. Dikush t`i gjejë”.

“Dua t`i gjej që t`u jap foton. Nuk mendoja se do të dilte kështu. Di vetëm që nëse dikush do të kishte një foto të tillë timen, unë do të doja ta kisha”, -shprehet Faith.

Deri më tani, askush nuk e ka njohur çiftin!