Stuhi të forta ere dhe rrebeshe shiu kanë pushtuar pasditen e sotme disa zona të vendit, duke rrezikuar seriozisht rrëzimin e pishave e pemëve në akset nacionale.

Stuhitë e fuqishme kanë detyruar të gjitha bizneset në Berat të mbyllin qepenat për më shumë se gjysmë ore, ndërkohë që rrugët e qytetit janë mbuluar nga pluhuri, gurët dhe degët e pemëve që janë këputur nga era, shkruan Top Channel.

Menjëherë në rrugë kanë dalë shërbimet zjarrëfikëse, për të qenë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme që mund të krijohej. Stuhia e fortë ka lënë pa drita gjithë qarkun e Beratit, që prej orës 18:00 të kësaj pasditeje.

Burime të KESH-it nga rajoni Berat nuk japin asnjë informacion në lidhje me situatën e krijuar, duke mos konfirmuar nëse kemi të bëjmë me ndonjë defekt të shkaktuar nga era, me dëmtime të kabinave elektrike etj., ndërkohë që nuk konfirmohet as fakti se kur do të rikthehet energjia elektrike në qarkun e Beratit.

Pothuaj e njëjta situatë konfirmohet edhe nga qytete të tjera të vendit. Burime për Class nga Pogradeci thonë se era e fortë dhe stuhia ka rrëzuar pemët edhe në këtë qytet duke shkaktuar panik te turistët. Megjithatë, pas pothuaj 30 minutave, gjendja u stabilizua, ndonëse reshjet e shiut vazhdojnë.

Ndërkohë, sipas Meteoalb, moti i vranët që ka pushtuar fillimisht veriun dhe më pas të gjithë vendin, duke u shoqëruar edhe me shtrëngata me intensitet deri mesatar, pritet të qetësohet gjatë orëve të natës. Problematike sot ka qenë era, sidomos në zonat bregdetare, por nata sjell përmirësim të kushteve atmosferike.

Temperaturat e ajrit kanë mbetur të larta në mëngjes, por mesdita ka sjellë rënie me 2-3⁰C duke u luhatur nga 15⁰C deri në 33⁰C.

Sipas meteorologëve, gjatë orëve të natës pritet të qetësohet situata e reshjeve, ndërsa dita e enjte nuk paraqet rrezik. Fundjava pritet t'u kthehet vlerave të larta dhe tipike për muajin korrik.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 22 / 29 °C

në vendet e ulëta: 21 / 29 °C

në vendet malore: 17 / 20 °C

Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, për momtente të shkurtra deri e fortë.