Ngjarja e rëndë me pasoja tragjike për jetën e 25-vjeçares nga Lushnja ditën e djeshme, mori vëmendjen e gjithë mediave në vend. E ndjera, Desantila Sollaku u rrëmbye nga rryma e fuqishme e ujit në kanionin e Holtës pasditen e djeshme dhe nuk arriti të shpëtonte dot.

Ajo jetonte në Savër të Lushnjes, ndërsa bashkë me familjen kishte vendosur që të kalonte një fundjavë ndryshe, pikërisht në kanionet e Holtës, një destinacion që ofron adrenalinë dhe një mënyrë tjetër argëtimi për të gjithë. Fakti që i vëllai i Desantilës ishte kthyer nga Gjermania, ishte shkaku pse familja vendosi që të udhëtonte drejt këtyre kanioneve për t'u argëtuar. Mësohet gjithashtu se 25-vjeçarja kishte planifikuar që të udhëtonte drejt Gjermanisë për pak ditë ku do të ushtronte profesionin e saj si infermiere, pasi kishte përfunduar studimet për këtë degë në Shqipëri. Familja Sollaku ka dy vajza dhe një djalë.

Prindërit e vajzës merren me tregti në Savër, produkte ushqimore. Ngjarja e sotme është tragjedia e dytë në familjen Sollaku, pasi rreth dy vite më parë u hodh nga pallati duke u vetëvrarë gjyshi i vajzës që u mbyt dje në Holtë.