Prej disa ditësh në media, por edhe në radhët e personazheve të famshëm në vend po qarkullon në formën e një thashethemi lajmi për një largim të mundshëm të një prej moderatoreve më të suksesshme dhe më të njohura në Top Channel. Siç përflitet, Albana Osmani pas afro 15 vitesh kontribut profesional dhe dinjitoz në ekranin e madh të Top-it është larguar nga ky televizion për t'u fokusuar në projekte të reja.

Vetë protagonistja në fjalë, ka zgjedhur përmes pyetjeve në Instagram që t'i përgjigjet interesit të fansave të shumtë që duan të dinë të vërtetën e këtij lajmi. “A janë të vërteta këto që kanë shkruar portalet së fundmi”, e pyet dikush moderatoren. “Unë them gjithmonë ‘mos u merrni me llafe’. Njerëzit e mëdhenj janë ata që bëjnë diferencën nisur nga gjëra të vogla. Unë çmoj profesionistët dhe njerëzit besnik përreth meje”, u përgjigj ajo.

Ndërkohë, ditën e djeshme sheshi "Skënderbej" u ndez nga atmosfera e muzikës, fishekzjarreve dhe pranisë së shumë VIP-ave shqiptarë në koncertin e organizuar me rastin e 15-vjetorit të krijimit të platformës DigitAlb. Natyrisht që mungesa e Albanës ra në sy, ndaj dhe një prej ndjekësve të saj virtual provoi që ta pyes se pse ajo mungoi ditën e djeshme në këtë event të madh dhe të rëndësishëm për Top Channel dhe DigitAlb.  “I uroj shumë suksese. Histori e shkruar. Platforma që mblodhi bashkë gjithë shqiptarët. Gëzohem që isha një dritë e llampës së madhe që foli shqip kudo. Suksese më tej”, vijoi Osmani.

Sigurisht që ajo nuk e la interesin maksimal të fansave në mes, por ju përgjigj pyetjeve edhe për faktin nëse do e rishohim Albanën sërish në ekran me projekte të reja. "Po shqyrtoj propozimet dhe ato që kam propozuar. Besoj shpejt do më shihni në ekran. Do të ketë surpriza", theksoi moderatorja e njohur.

Në fakt edhe ne pas këtyre përgjigjeve të Albanës, nuk dimë nëse duhet të besojmë vërtetë versionin e largimit të saj të mundshëm nga Top Channel. Mbetet të presim. Ajo vetë e cilësoi që projekte dhe surpriza interesante na presin. Të shohim!