Një obsesion i shëndetshëm dhe një dëshirë për çanta dhe bizhuteri të bukura ndihmojnë gjithmonë! Kjo nuk është një shprehje klishe! Është një stil jete që pak vajza e kanë, e shumë të tjera e ëndërrojnë! Çanta Hermès në njërën dorë dhe shampanjë e shtrenjtë në dorën tjetër. Noton në marka luksi, ndërsa klientët në biznesin e saj janë nga ata që shpenzojnë mijëra dollarë në rroba, këpucë e aksesorë në mënyrë rutinore. Nëse të ndodh rastësisht të përballesh me profilin e saj virtual në Instagram, e të mos kesh dëgjuar më parë për të si emër, vëmë bast që ju do të mbeteni gjatë tek fotot që zbulojnë vetëm disa copëza nga përditshmëria. Stili luksoz i jetës, vaniteti që dukshëm është "ingredienti" më i rëndësishëm i përditshmërisë dhe natyrës së saj të të vepruarit e bëjnë atë sot një nga vajzat shqiptare më interesante për t'u njohur nga afër dhe në detaje. Sepse Elona Varfi nuk është si të gjitha të tjerat! E zakonshmja është e mërzitshme për të! Ndaj, gjithnjë rend pas gjërave fantastike! Atyre pas të cilave ja vlen të investosh dhe të investohesh në aspektin financiar, por edhe atë shpirtëror. Sepse, vajza me origjinë nga Vunoi, por që sot bën jetën e ëndrrave në kryeqytetin britanik është personazhi që të fton ta kundrosh e të bisedosh gjatë me të...Njësoj siç do të të linte shijen e mirë, gjërbja e një çaji anglez në rrugët më të frekuentuera të Londrës, e tillë është edhe biseda që ne bëmë me Elona Varfin, konsulente e markave të luksit dhe përfaqësuese e ankandeve të rralla.

Sot, pas disa viteve investim në studime, por edhe në profilin si influencuese mode dhe e orientuar totalisht drejt markave të shtrenjta me fatura të kripura me më shumë se gjashtë zero pas, ajo na tregon se asgjë në këtë rrugëtim nuk ka qenë e lehtë. Tregu i markave të luksit, ku përfshihen çantat apo bizhuteritë e ka tërhequr si magnet gjithmonë dhe tanimë që pasioni i saj i hershëm është shndërruar në një profesion, ndihet edhe më e plotësuar dhe e kënaqur. Në Londër, ajo ka ngritur kompaninë e saj. Quhet Classy Bubbly dhe filozofia e kësaj sipërmarrjeje është rishitja e produkteve dhe shërbimeve të luksit, ndërsa idetë e zhvillimit në biznes i ka gjithmonë të qarta. Së shpejti, Elona Varfi do të ketë dyqanin e saj në Londër, pikërisht në Mayfair, në një nga zonat më strategjike të kryeqytetit britanik, përkrahë disa dyqaneve me marka super luksoze dhe të shtrenjta.

Njohëse fantastike e trukeve të blerjeve, sidomos atyre luxury, Elona Varfi është vajza e famshme që është martuar me një prej meshkujve më të bukur shqiptar, ish-misterin Olti Xhezo. Sa herë flet për dashurinë, sytë i shkëlqejnë natyrshëm, ndërsa dëshira e tyre më e madhe është shtimi i familjes me pjesëtarin/en më të re. Një fëmijë është gjithmonë i mirëpritur, ndaj ata tashmë e kanë lënë të hapur derën e mundësive...

Për profesionin, për truket e blerjeve, për stilin e jetës, udhëtimet e çmendura nga njëri cep i botës në tjetrin, intervista me Elona Varfin është pija më freskuese me shijen më unike që mund të keni provuar deri më sot. Imagjinoni sa shijon diku, larg zhegut përvëlues të Tiranës, me flladin e detit që të përkëdhel fytyrën, ndërsa këmbët zbathur shkelin në rërën e bardhë. Kjo është intervista që me siguri do ju lërë një shije fantastike në fund...

Elona, ti ndryshe njihesh si vajza e Hermès. Me një koleksion të hatashëm çantash luksi, çdo të thotë ky etiketim për ty?

Filozofia e Hermès ka qenë gjithmonë të mbetet një markë super luksi nëpërmjet ekskluzivitetit, çka do të thotë që ofrohet vetëm për shumë pak klientë të përzgjedhur e për rrjedhojë nuk është lehtësisht e disponueshme. Identifikimi me këtë emër prestigjioz më jep kënaqësi pasi reflekton gjithë punën, përpjekjet e njohuritë që kam fituar për brandet e luksit. Unë besoj në cilësinë dhe vlerën e çantave Hermès jo vetëm si një aksesor, por si një investim strategjik biznesi ndaj dhe i koleksionoj ato.

E kishe ditur që në krye të herës që kjo ishte jeta që doje të bëje? Me çfarë je marrë se të angazhoheshe në këtë profil interesant që ke sot?

Unë kam studiuar shkenca ekonomike në London School of Economics (LSE) dhe për disa vjet kam punuar në profesionin tim. Tregu i markave të luksit, ku përfshihen çantat apo bizhuteritë më ka tërhequr gjithmonë dhe tashmë që pasioni im i hershëm është shndërruar në profesion ndihem edhe më e kënaqur. Në Londër unë kam ngritur një kompani për rishitjen e produkteve të luksit dhe shërbimeve të tjera luksoze të quajtur Classy Bubbly. Shërbimet e saj sot për sot ofrohen në internet www.classybubbly.com,  por së shpejti Classy Bubbly do jetë prezente me dyqanin e saj edhe në Mayfair Londër ku gjenden dhe shumë dyqane të tjera të markave më prestigjioze.

Të posedosh një çantë Hermès , do të thotë që të rrish në listë pritjeje gjatë…Por, ndërkohë shopping-u ka edhe truke të tjera që vetëm mjeshtret si ti i dinë. Çfarë mund të na thuash për këtë?

Tregu i çantave Hermès është shumë i sofistikuar. Është një lojë pritjeje dhe jo listë pritjeje; madje ka shumë kohë që lista e pritjes nuk funksionon më si koncept. Me fjalë të tjera, një klient i rrugës (ëalk-in customer) nuk mund të hyjë në një dyqan  Hermès dhe të porosisë një çantë, pavarësisht nëse ka para mjaftueshëm për ta blerë atë. Kjo politikë ekskluziviteti dhe kufizimi i numrit të çantave që shiten çdo vit ( Birkin dhe Kelly) është dhe çelësi i suksesit të kësaj kompanie. Ajo që bën diferencën në këto tregje ekskluziviteti, dhe me markën Hermès në veçanti është krijimi i një marrëdhënie besimi dhe respekti, si klientë i çdo artikulli tjetër që ata ofrojnë, jo vetëm çanta. Kjo ndryshon gjithçka! 

Thonë që vajzat që kanë një garderobë të hatashme me veshje dhe aksesorë, janë vajza interesante për t’u njohur. Çfarë mendon se realisht të bën ty një vajze interesante?

Unë jam e vërtetë me veten time dhe njerëzit që më rrethojnë. Kam pasion për të jetuar dhe për punën që bëj. Jam një person me dëshirë për të eksploruar botën dhe jam me energji pozitive gjë që rrezaton kudo. Rrethi im shoqëror e vlerëson këtë dhe mbase kjo më bën interesante. 

Ndërkohë, Elona ti angazhohesh edhe në ankande për blerje gjërash vintage apo luksi. Shumëkush është kurioz të di si funksionon blerja në ankand. Mund të na tregosh ndonjë sekret?

Pjesëmarrja në ankande është pjesë e profesionit tim tashmë. Zgjidhja më e mirë për gjërat me vlerë është të provohen në ankand ku koleksionistët shkojnë për të zgjeruar koleksionin e tyre. Të gjithë blerësit më me njohuri janë klientë në ankand, ndaj është dhe tregu më i mirë për gjëra me vlerë të veçantë. Unë bashkëpunoj me të dy palët (shitësit dhe blerësit) dhe i përfaqësoj ata bazuar në komisionet përkatëse. Ndërkohë, mund t'ju them se kam organizuar dhe ankandin tim të parë me çanta  Hermès në bashkëpunim me shtëpinë prestigjoze të ankandeve Sotheby’s. Kjo është një arritje fantastike për një kohë kaq të shkurtër, për të cilën është shkruar edhe në shtypin anglez Daily Mail.

Cila është blerja më e çmendur që ke bërë deri më sot?

Nuk bëj blerje të çmendura, por të zgjuara. Për mua një blerje e shtrenjtë duhet të jetë patjetër investim në vetvete dhe ta mbaj vlerën. Një shpenzim i madh për diçka që nuk i mbetet vlera në kohë nuk bën sens për mua.

Në Wish List tënd aktual, cilat janë gjërat që pretendon t’i blesh në të ardhmen?

Përditë ka gjëra që i shtohen ëish list-it dhe po ashtu gjëra që realizohen dhe dalin nga lista. Por, nuk mendoj se janë aq të rëndësishme për të ardhmen. Për mua qëllim është t'i mundësoj vetes një jetesë cilësore me standard të lartë, dhe këtë ta arrij me forcat e mia, duke zhvilluar më tej pasionin tim të kthyer në biznes tashmë. 

Më mirë një smart shopper apo një shopper addictive?

Smart, gjithmonë smart. 

Ke një femër role model në jetën tënde?

Po mamin tim, një grua shumë strategjike, e fortë dhe shumë e dashur njëkohësisht. E kam shembull në gjithë vazhdimësinë e jetës time. Nga figurat publike do thoja Princess Diana, shembull i një femre me zemër të madhe dhe me shpirt të lirë. 

Elona t’i njihesh për stilin vanitoz të jetës…çfarë ka të veçantë kjo mënyrë jetese?

Për mua nuk është thjesht jetesë vanitoze, por edhe ndërtimi i biznesit, njohja e tregut, ndërtimi i marrëdhënieve me klientë potencial e pse jo, mbyllja e shitjeve të suksesshme.  Unë marrë pjesë shpeshherë në aktivitete të organizuara nga shtëpitë e ankandeve dhe markave më prestigjoze, aktivitete këto që më ndihmojnë shumë për të njohur njerëzit e duhur në Londër, të cilët punojnë ose kanë interes për produktet e luksit. Në këtë mënyrë jam bërë pjesë e rrjetit të aktiviteteve më të përzgjedhura, vendeve “Members only” në qytet, gjë që më ka ndihmuar të zhvilloj më tej kontaktet dhe emrin e biznesit tim. Nga ana tjetër, unë mendoj se çdo njeri duhet të jetojë në plotësi dhe vërtetësi me veten. Për sa kohë ti gjen gëzim, emocion dhe përmbajtje në mënyrën e të jetuarit, atëherë duhet ta besh atë pa hezituar.

Je në udhëtime të vazhdueshme, në eksplorim të vazhdueshëm. Cili është vendi më i bukur që ke vizituar deri më sot?

Udhëtimet i kam pasion gjithashtu, por së fundmi po mundohem t'i reduktoj pasi dua t'i fokusoj punët më shumë në Londër. Gjithsesi një herë në javë minimalisht jam në udhëtim dhe valixhja ime është pothuajse gjithmonë gati:) Vendi i preferuar ku shkoj shpesh është Cote d’Azur,  në jug të Francës. Më i veçanti që kam vizituar deri tani është ishulli Mauritius ku kam qenë për honeymoon. 

Meqënëse jemi në sezon veror, ku do i kalosh pushimet?

Pushimet i kalova disa ditë në jugun e Shqipërisë, në Jalë pasi unë jam dhe nga Vunoi me origjinë. Kam planifikuar disa ditë në vazhdim pushime në Cote d’Azur dhe në ishujt e Greqisë. 

Me jetën tënde private si shkojë gjërat?

Shume mirë, po shijojmë jetesën në Londër.

Je natyrë diskrete, por pyetja që vështirë t’i shmangemi: pas martesës me Olti Xhezon kur do të vijë fryti juaj i dashurisë, një bebe?

Do Zoti shumë shpejt do vijë!

E dëshironi? 

Po, do na plotësonte jetën komplet. 

Një këshillë të vlefshme o një mesazh për të gjitha vajzat shqiptare?

Njihni veten tuaj, pasionin dhe çfarë ju bën të lumtur. Evitoni gjithçka që ju jep emocione negative para se t’ju konsumojë dhe punoni në përmirësimin e vetëvlerësimit tuaj.