Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës. Vendimi i tij ka ardhur në fund të mbledhjes së Qeverisë, ku është shprehur se dorëheqja e tij është e parevokueshme.

Arsyeja pse Haradinaj është tërhequr nga posti më i lartë në qeverinë e Kosovës, është sepse ka marrë thirrje për t’u marrë në pyetje në Speciale (jo si i akuzuar). 

“Pas kësaj dorëheqje mandatin ia kthej popullit, ju jeni të parët që ju informoj. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa krijuar vakuum, do i informojë zyrtarisht gjitha institucionet relevante, do i mbes gjithnjë besnik atdheut, ishte ndër t’i shërbej vendit. Dorëheqja është e parevokueshme. Përgjegjësia tani kalon te presidenti për të filluar konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve. I ofrohem prapë popullit për të marrë besimin. Nuk jam i akuzuar, por intervistohem. Garoj në zgjedhje edhe unë edhe subjekti im. Por s’kam mundur ta çoj shtetin dhe kryetarin e qeverisë sepse do ta rëndoja Kosovës dhe prandaj e kam marrë këtë vendim”,-ka thënë Haradinaj.

I mbërthyer nga emocione, Haradinaj ka sqaruar se nuk mund të shkonte në Hagë duke mbajtur postin e kryeministrit të Kosovës.