Era e fortë dhe reshjet e shiut që përfshinë vendin në dy ditët e fundit kanë vijuar edhe gjatë ditës së hënë. Më të rrezikuara kanë qenë zonat bregdetare për shkak të erës që krijon dallgë të mëdha në det. 

"Për të gjithë ata që janë duke pushuar gjatë këtyre 3 ditëve dhe ditët e fundit të korrikut, do të kenë një mot disi të qëndrueshëm sa u përket reshjeve, por parametri i erës, deti i trazuar dhe temperaturat do të jenë më shumë se 32 gradë në zonat bregdetare" – tha për Tv Klan Lajda Porja.

Po prej 1 gushtit, situata do të ndryshojë në favor të pushuesve.

"Pritet të kemi direkt një përmirësim të motit, duke filluar që nga data 1. Do të kemi ardhje të masave ajrore, të cilat janë me origjinë nga veriu i Afrikës. Përsa u përket vlerave termike, parashikohet që në pjesën e parë të variojnë nga 32 deri në 35 gradë".

Si pasojë e motit të keq, gjatë së dielës u rrezikuan disa pushues në plazhe, ndërsa dy të tjerë humbën jetën.