Stiven Bregu është një i ri shqiptar, i cili u nis drejt Anglisë në mënyrë ilegale për t'i shpëtuar familjes abuzive 5 vite më parë. Kur ishte vetëm 13 vjeç, ai mbërriti në qytetin e Bristolit, ku u strehua në një familje angleze. Ai nuk kishte asnjë njohuri të gjuhës angleze dhe u mor në përkujdesje nga shteti. Tani, as 5 vitesh, ai ka dalë me rezultate të shkëlqyera në provimet e maturës, gjë e cila e shpëtoi edhe nga dëbimi.

Stiven ka mundur të sigurojë qëndrimin në Britaninë e Madhe falë një peticioni që kundërshtonte dëbimin e tij dhe që arriti të mblidhte rreth 90 mijë firma. Sjellja e 18-vjeçarit, kontributi i tij në komunitet dhe notat e shkëlqyera kanë bërë që ai të dallojë dhe mësuesit e tij e përshkruajnë si një student të shkëlqyer që i duhet shumë komunitetit. Falë rezultateve të larta në biologji, kimi dhe matematikë, ai siguroi një praktikë në një firmë menaxhimi. Stiven i ka rënë në sy edhe kryebashkiakut të Bristolit, i cili e ka pranuar për t'u bërë pjesë e programeve për studentët e talentuar.

Nga ana tjetër, Stiven është shprehur më i lumtur se kurrë nga vendimi për qëndrimin e tij duke thënë se Bristoli është shtëpia e tij dhe i gjithë komuniteti, përfshirë edhe mësuesit, e kanë mbështetur jashtëzakonisht.

Rasti i tij ka marrë vëmendjen e mediave prestigjoze në Britani, si BBC.