Nëse do t’ju duhej të zgjidhnit mes tekstilesh të ndryshme për të shpenzuar për sezonin e ri, jemi të sigurt që lëkura nuk do të ishte pjesë e preferencave tuaja, pikërisht për vështirësinë që ka për t’u kombinuar me çdo veshje.

Në fakt, tendencat e sezonit të ri shkojnë pikërisht aty, zgjedhin lëkurën si materialin ‘must’ të gardërobës suaj. Nëse deri sezonin e kaluar kemi parë fustanet e lëkurës që visheshin nga ndjekëset e modës, ky fundvit është i këmishave me po të njejtin material. A nuk është perfekte një veshje mjaftueshëm e hollë për të mos u quajtur xhaketë dhe e trashë aq sa duhet për t’u veshur me diçka poshtë? 

Të gjitha markat që ‘vulosin’ trendet e fundit e kanë propozuar këmishën e lëkurës si një look vjeshte që do t’ju bëjë të dukeni të veshura më shtrenjtë dhe më bukur. Mund të jemi ende në muajin gusht, por influencueset e modës e kanë sjellë trendin fiks në kohë, në mënyrë që vjeshta të mos vijë surprizë.

A nuk po i kushtohen blerjet tuaja të momentit një stine më të freskët? Pikërisht për këtë e kemi fjalën, këmisha e lëkurës është veshja ideale për periudhën tranzite mes stinëve. Cilat janë kombinimet më të veçanta? Jua prezantojmë në listën e mëposhtme.

Këmisha e lëkurës e kombinuar me pantallona treçerekëshe lëkure
Ju duket tepër i guxuar një look i krijuar vetëm nga lëkura? Është pikërisht ky që do t’ju japë një pamje tjetër.

 

Këmisha e lëkurës e kombinuar me ngjyrë të ndezur
Ngjyra e mjaltit është tipike për materialin e lëkurës dhe nëse ajo kombinohet me diçka në ngjyrë të ndezur, rezultati do të jetë brilant!

 

Këmisha e lëkurës e kombinuar me fustan të gjatë
Një veshje e frymëzuar nga stili punk? Tipike për vajzat që vishen rock!
Këmisha e lëkurës e kombinuar me xhinse
Xhinset shkojnë me gjithçka, me çdo stil veshjeje.

 

Këmisha e lëkurës e kombinuar me pantallona serioze
Veshja duket më e shtrenjtë kur ajo mbetet në hijet e ngjyrave neutrale!