Libri me një fjali

Një klasik modern, që përshkruan jetën e shoqërisë amerikane e sidomos asaj njujorkeze, në Epokën e artë të Jazz-it.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

"Të bukur dhe të mallkuar", botuar për herë të parë më 1922, është romani i dytë i shkrimtarit F. Scott Fitzgerald. Ai eksploron dhe portretizon shoqërinë e lartë amerikane nëpërmjet dy personazheve, aspirantët aristokratë të Periudhës së Jazz-it, Antoni dhe Gloria Paç. Që të dy, burrë e grua, personifikojnë shoqërinë e zvetënuar njujorkeze të viteve ’20, të shekullit të kaluar: janë të pashëm, sipërfaqësorë, në kërkim të kënaqësive dhe vanitetit.

Nga njëra anë, gjendet Antoni, djalosh i pashëm, i mërzitur me jetën e rëndomtë, jetim, që kalon një periudhë kohe në Romë ku, mes grave, mbrëmjeve me miqtë dhe frymëzimeve të ndryshme artistike, si shumë bashkëmoshatarë të tij ndien se një ditë jo fort të largët do të bëjë gjëra të mëdha në jetë. Nga ana tjetër, Gloria, 22-vjeçarev nga Kansas Siti, eksentrike, e trazuar, e zhgënjyer, që e josh menjëherë Antonin me bukurinë dhe karakterin e saj krenar. Dy të rinjtë fillojnë një lidhje dhe, pas një fillimi disi të dhimbshëm në dukje, martohen, të bindur që e kanë gjithë botën në dorë.

Mirëpo, tani që fillon jeta e vërtetë prej të rrituri, ata zbulojnë se janë të pazotë për t’u angazhuar në plane pune, apo për të punuar realisht duke sajuar përligjje nga më të ndryshmet vetëm për t’u zdërhallur pas qejfeve dhe luksit.

Në pritje të një trashëgimie të madhe të lënë nga gjyshi i Antonit, ata jetojnë përtej caqeve të tyre ekonomike. Shoqëruesi i ditëve të tyre bëhen alkooli, ballot, festa, luksi dhe kumari. Por kur trashëgimia nuk vjen, jeta e tyre  shndërrohet në kërkim të ankthshëm të pasurisë dhe aleancat e brishta fillojnë të këputen.

Romani është frymëzuar pjesërisht nga lidhja e Fitzgeraldi-t dhe bashkëshortes së tij, Zelda-s. Të dy personazhet evokojnë një portret të gjallë të një bote të humbur: një qytet ku gëlon vesi, një shoqëri pa krye e pa drejtim dhe një brez dekadent dhe pa rrënjë.

“Të bukur e të mallkuar” është një satirë e moralit amerikan të fillim shekullit XX, gjatë viteve të proibicionizmit, ku të rinjtë – protagonistët e rinj të shekullit XX – duhet të përballen me krizën e vlerave të epokës së paraluftës.

Ata mishërojnë epokën në të cilën jetojnë dhe që do të përfundojë në mënyrë dramatike me krizën e vitit 1929.

Kritika

"Përsa i përket stilit, romani është i shkruar mirë, dhe humbja graduale e kureshtjes mendore nga ana e Antonit, zvetënimi i tij i vazhdueshëm deri në shndërrimin në një “relikt të mjerë” është sjellë në mënyrë bindëse".

Louise Maunsell Field, The New York Times, March 5, 1922

Para “Të bukur dhe të mallkuar” nuk e dija ç’donte të thoshte të lexoje një libër vetëm për kënaqësinë e kulluar të të dëgjuarit të zërit shkrimtarit, për kënaqësinë e të parit të larmishmërisë së gjuhës të një mjeshtri të stilit. Stili i Fitzgerald-it ishte krejtësisht i ri [...] një përvojë sensuale dhe entuziazmuese.

The Indipendent

“Të bukur dhe të mallkuar” tashmë konsiderohet një nga romanet që ka kapur më së miri thelbin e Epokës së Jazz-it. [...] vepra e dytë kryesore e Fitzgeraldit është drithëruese, bindëse dhe me një qasje intriguese."

Enterteinment Focus

Autori

Francis Scott Key Fitzgerald ishte shkrimtar amerikan, veprat e të cilit lidhen ngushtë me Epokën e Jazz-it (1918 -1928), një term të cilin ai vetë e krijoi. Ai bënte pjesë në atë rrymë letrare të quajtur “Lost generation” (Brezi i humbur), një grup shkrimtarësh amerikanë të lindur në vitet 1890, të cilët u rritën gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas u vendosën në Francë, në vitet  ’20 të shekullit të kaluar. Shkroi katër romane dhe një të pestë, që mbeti i papërfunduar, si dhe dhjetra tregime me temat e rinisë, të dëshpërimit dhe ndryshimit të brezave. Romani i tij më i njohur “Getsbi i madh” është ekranizuar me sukses më shumë se një herë.

Fragmente nga libri

1) Një grua duhet të ketë lirinë të puthë një burrë në një mënyrë të bukur dhe romantike, pa asnjë dëshirë për të qenë bashkëshortja apo e dashura e tij.

2) Gjatë udhëtimit të kthimit në Nju-Jork, kësi mendimesh e përthithën krejt. Kishte pasur një nga ato shkreptimat e befta të dritës që u ndodhin gjithë burrave që dominohen nga një grua e fortë dhe e shtrenjtë, nga ato që u tregojnë një botë burrash më të fortë, të stërvitur më egërsisht dhe që përfyten me abstraksionet e mendimit dhe të luftës. Në atë botë, krahët e Glorias do të ekzistonin vetëm si përqafimi i ngrohtë i një dashnoreje rastësore, e kërkuar me ftohtësi dhe e harruar shpejt...

3) Ajo ishte e pakuptueshme, sepse tek ajo, shpirti dhe fryma ishin një, bukuria e trupit ishte esenca e shpirtit të saj. Ajo ishte ai unitet që filozofët e kishin kërkuar për shekuj me radhë. Në atë sallë të hapur erërash dhe yjesh, ajo rrinte ulur prej njëqind vjetësh dhe sodiste veten në paqe.

4) ...Nuk mund të kesh gjithçka, nuk mund të kesh kurrë gjithçka. Ngase dëshira të mashtron. Është si një rreze dielli që hidhet sa andej-këndej nëpër dhomë. Ndalet dhe praron ndonjë send të parëndësishëm, ndërsa ne budallenjtë përpiqemi ta rrokim, por kur e bëjmë, rrezja zhvendoset mbi diçka tjetër dhe ty të mbetet pjesa e parëndësishme, por vezullimi që të bëri ta dëshiroje nuk është më...

5) Kështu u rrita, në këtë tokë xhazi dhe rashë menjëherë në një gjendje çoroditjeje pothuaj të prekshme. Jeta m’u qep si një mësuese imorale që ndreqte mendimet e mia të paracaktuara. Por, me një besim të gabuar tek inteligjenca, eca përpara.

 

Titulli: Të bukur dhe të mallkuar

Titulli në origjinal: The beautiful and damned

Autori: Francis Scott Fitzgerald

Përktheu: Alina Karaulli

Zhanri: Roman

Data e botimit: Shtator, 2019

Numri i faqeve: 438

Çmimi: 1200 lekë

Koleksioni: Klasikët Botërorë