Nuk ka asnjë dyshim që ndarja e tyre është një nga më të komentuarat dhe më protagonistet në showbiz-in shqiptar! Vetëm pak ditë më parë, ishte vetë Robert Berisha ai që nuk i la hapësirë "gojëve të liga", por vendosi ta ndajë me të gjithë lajmin e bujshëm të ndarjes nga bashkëshortja e tij Nora Istrefi, me të cilën ai ka edhe një vajzë të vogël, Renee. Duke bërë publik vendimin e rëndësishëm të jetës, siç është edhe divorci pas disa viteve martesë, Roberti vijon të përbëjë lajm jo vetëm me projektet e reja muzikore apo bashkëpunimet artistike, por sidomos për aspektin sentimental. Sepse gjithkush do të dijë ose mësojë më shumë rreth jetës së tij private, zhvillimeve interesante e mbi të gjitha për faktin nëse është dikush që i ka rrëmbyer zemrën këngëtarit të njohur.

Ditën e djeshme në mediat rozë qarkulluan lajmet dhe fotot e Robert Berishës me një vajzë bukuroshe. Ata shfaqeshin bashkë të ulur në një kafe dhe menjëherë u përfol për një histori të re dashurie mes tij dhe modeles, identiteti i së cilës është Jessica Kadiu.

Por, pas bujës në media, vetëm sot ka ardhur reagimi i parë dhe zyrtar i Robert Berishës. Ka mjaftuar vetëm një foto dhe asnjë sqarim direkt për portalet apo shtypin rozë për të zbuluar se në fakt, modelja Jessica Kadiu është thjesht pjesë e grupit të vajzave dhe modeleve me të cilat Roberti po punon rreth projektit të ri.

"Diçka po zihet", shkruan ai, teksa zbulon se është duke punuar fort rreth një projekti të ri me gjasë muzikor dhe artistik.

Kështu që nuk ka vend për panik! Modelja simpatike në krahë të Robertit nuk është e dashura e tij e re, por thjesht një bashkëpunëtore në projektin e tij të ri.