Vetëm një ditë më parë, aktori dhe moderatori i “Portokallisë” Salsano Rrapi, i ftuar në emisionin “Rreze dielli” në Report Tv, ku ka folur për të rejat e spektaklit të humorit gjatë sezonit të ri, ka zbuluar ndër të tjera edhe largimin e aktores së njohur Delinda Disha nga ky spektakël. Delinda, sezonin e ri do të jetë pjesë e Tv Klan dhe spektaklit “Klanifornia”, që do të nisë transmetimet shumë shpejt në ekranin e Tv Klan.

Ndër të tjera, Salsano tha se Delinda është larguar “fshehurazi” nga spektakli, por vetë aktorja, në një reagim publik gjatë ditës së sotme, e ka mohuar këtë deklaratë të kolegut të saj duke sqaruar arsyen e vërtetë e cila e ka çuar drejt këtij vendimi.

 “I dashur Salsano, për jetën tënde e paske problem të prenoncohesh, ndërsa për timen ose artistëve të tjerë e paske shumë të lehtë të thuash “iku fshehurazi”. Unë iki dhe vij sa herë ta shoh të arsyeshme. Më kishte mbaruar kontrata dhe nuk doja të rinovoja më. Por është barrë e rëndë të bësh zëdhënësin e “Top-it”. Për sqarim”,- shkruan Delinda.

Megjithatë, nga sa flitet, duket se nuk është arsyeja e vetme për të cilën aktorja ka vendosur të largohet nga spektakli i humorit. Burime për Prive.al kanë mësuar se, në fakt, janë dy arsyet e vërteta për të cilat ka ndodhur lëvizja.

E para lidhet me pagesën. Televizioni rival duket të ketë hapur ‘thesin’ duke i ofruar aktores një pagesë më të lartë, në tentativë për të grumbulluar afër vetes emra të suksesshëm. Arsyeja e dytë dhe kryesore lidhet me bashkëshortin e saj. Burimet kanë thënë portalit tonë, Eldo, do e ketë një rol të rëndësishëm në spektaklin e ri ‘Klanifornia’ duke qenë kostumograf i tij. Me një profil akademik të ngjashëm, çifti duket të kenë zgjedhur që të punojnë bashkë në skenë dhe ‘Klanifornia’ ka qenë një mundësi e tillë ideale.