Titulli: Përçmimi

Titulli në origjinal: Il disprezzo

Autori: Alberto Moravia

Përktheu: Aida Baro

Zhanri: Roman

Data e botimit: tetor, 2019

Numri i faqeve: 232

Çmimi: 800 lekë

Koleksioni: Mozaik

 

Libri me një fjali

“Përçmimi” është një ekzaminim i pamëshirshëm i dëshpërimit dhe i vetëmashtrimit në zbrazëtinë emocionale të shoqërisë moderne të konsumit.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Romani “Përçmimi” u botua për herë të parë më 1954 dhe përfaqëson një prej etapave kryesore të rrugëtimit e kërkimit të Alberto Moravia-s në botën e borgjezisë italiane të shekullit të kaluar.

Rikardo Molteni është dramaturg në profesion, por për shkak të shtrëngesave ekonomike të familjes është i detyruar të punojë si skenarist kinematografik, ndërsa e shoqja, Emilia, ish-daktilografiste, është e dashuruar pas zotërimit të një shtëpie. Në një Romë borgjeze të viteve ‘50, Rikardo rrëfen se si ndryshojnë ndjenjat e të shoqes ndaj tij, kur në skenë futet bota e kinemasë, e karrierës dhe suksesit. Në krye, ato zbehen dalëngadalë derisa mbërrijnë në atë përçmim të dhembshëm, që ngjan i pakuptueshëm qoftë në sytë e protagonistit, qoftë në ata të lexuesit, por që sidoqoftë, Moravia e zgjedh si titull të librit. Sepse pikërisht përçmimi, i prekshëm në dialogët mes çiftit, do të kthehet në personazh dhe do të ndryshojë rolet e protagonistëve, madje do të bëhet ai vetë protagonist, motor prej të cilit lind çdo veprim dhe reagim i tyre.

Miti i “Odisesë” dhe kthimi i Uliksit në shtëpi te Penelopa do të shndërrohet në një përballje dhe analizë të hollë mes qytetarisë dhe barbarizmit, mes normave të nderit dhe njeriut modern.

Më 1963, romani u ekranizua nga regjisori i njohur francez Jean-Luc Godard, me aktorë kryesorë Brigitte Bardot dhe Michel Piccoli.

Kritika

Pikërisht te “Përçmimi”, problematika kryesore e Moravia-s gjen shprehjen e vet më të saktë dhe më komplekse, thuajse një enciklopedi që bashkon tematikat e tij të ndryshme.

Edoardo Sanguinetti

“Përçmimi” është një vepër e shkëlqyer dhe trazuese e njërit prej mjeshtrave revolucionarë të letërsisë moderne europiane. Të gjitha cilësitë për të cilat është i njohur Moravia – qartësia e ftohtë shprehëse, vëmendja e tij fine ndaj kompleksitetit psikologjik, hapja e tij ende befasuese ndaj seksit – shfaqen qartazi në historinë e kësaj martese të dështuar. “Përçmimi” është një ekzaminim i pamëshirshëm i dëshpërimit dhe i vetëmashtrimit në zbrazëtinë emocionale të shoqërisë moderne të konsumit.

New York Review Books Classics

I pasur në thelb dhe me kuptime të thella... një arritje e rrallë.

The New York Times

Heronjtë e Moravia-s kërkojnë lumturinë personale, por shkrimtari i shpie thuajse gjithnjë drejt humnerës.[...] ky është shkatërrimi i iluzioneve mbi mundësinë e lumturisë njerëzore... Ndoshta kjo shfaqet më qartë se kurrë në një prej veprave më të mira të Moravias, në romanin “Përçmimi”.

Nga parathënia e Ruf Igorevich Chlodovsky, në botimin e romanit në ish-Bashkimin Sovjetik më 1979.

Autori

Alberto Moravia konsiderohet një prej shkrimtarëve më të mëdhenj italianë të shekullit XX. Ndër të tjera ishte dramaturg, gazetar, skenarist dhe kritik i kinematografisë. Ai njihet si nismëtari i romanit borgjez, përmes të cilit, si mjeshtër i mprehtësisë, thjeshtësisë dhe elegancës stilistike, ka eksploruar pa fund temat e tëhuajëzimit shoqëror, duke nxjerrë në pah hipokrizinë, materializmin dhe varfërinë morale të epokës së tij. Në këtë kuptim, puna e tij të shpie në forma realizmi të pasura me kthjelltësi racionale, krizën ekzistenciale të borgjezisë që ka përshkuar vitet e fashizmit dhe të pasluftës, duke gërshetuar vazhdimisht subjektivitetin me objektivitetin.

Romanet e tij shpesh janë ekranizuar nga regjisorë të njohur si Bernardo Bertoluci, Jean-Luc Godard, Vittorio De Siça, Luigi Zampa, Cedric Kahn etj.

Fragmente nga libri

1) Atëherë, pse Emilia kishte reshtur së më dashuruari, pse më përçmonte? Dhe mbi të gjitha, pse ndiente nevojë për të më përçmuar?

Befas m’u fanit në mendje shprehja e Emilias: “Sepse nuk je burrë”, që më kishte bërë përshtypje për karakterin e saj të përgjithshëm dhe të rëndomtë, në kundërshti me frymën e çiltër dhe të sinqertë me të cilën ishte shqiptuar; dhe mendova se, ndoshta, në atë shprehje gjendej kyçi i qëndrimit të Emilias ndaj meje. Në fakt, në atë shprehje, fshihej, e shtrembëruar, shëmbëlltyra ideale që kishte Emilia për një burrë që, thënë me fjalët e saj, ishte burrë i vërtetë: pikërisht, sipas saj, ai që s’isha unë dhe që s’mund të bëhesha kurrë.

2) Lumturinë më të madhe njeriu e ndien atëherë kur s’është i vetëdijshëm për të.

3) ...një mbrapshti që nuk e di në do të ndodhë, të shkakton trazirë, sepse mbi të gjitha, shpreson deri në fund që të mos jetë e vërtetë; por kur e di që kjo mbrapshti është e sigurt, përkundrazi, zhytesh për ca kohë në një qetësi të poshtër.

4) – Por në poemë, Penelopa e dashuron Uliksin... madje, në njëfarë mënyre, gjithë boshti i “Odisesë” sillet rreth dashurisë së Penelopës për Uliksin.

Pashë Reingoldin ta fshinte vërejtjen time me një buzëqeshje.

– Besnikëri, zoti Molteni, jo dashuri... Penelopa është besnike ndaj Uliksit, por nuk e dimë se sa e do... dhe, siç e dini, herë-herë mund të jesh besnik dhe të mos dashurosh... Madje, në disa raste, besnikëria është një formë hakmarrjeje, shantazhi, shpagim i sedrës... Besnikëri, jo dashuri.