“Ora diellore” do të hyjë në fuqi natën mes të shtunës, data 27, dhe së dielës, data 28 tetor. Në orën 2:00, akrepat e orës do të spostohen një orë prapa, duke shënuar orën 1:00. “Ora diellore” do të qëndrojë në fuqi deri në javën e fundit të marsit 2020.

Megjithëse Komisioni Europian ka hapur një debat për të braktisur këtë sistem dhe për të lënë në fuqi sistemin e një ore që nuk ndryshon, edhe këtë vit ora do të ndryshojë, por pritet që vendimi të merret për vitin e ardhshëm.

Bashkimi Evropian do të heqë dorë nga ndryshimi dy herë në vit i akrepave të orës dhe për këtë u ka dhënë vendeve anëtare kohë deri në prill të vitit të ardhshëm për të vendosur nëse duan të qëndrojnë me orën verore apo atë dimërore. Megjithëse një vendim i shumëpritur dhe i votuar nga shumë shtetas evropianë në një sondazh të disa muajve më parë, ekziston ende frika se Evropa mund të përfshihet nga kaosi i zonave të ndryshme me orare.

Komisionarja evropiane për Transportin, Violeta Bulc, njoftoi se BE-ja do të ndalej së ndryshuari akrepat e orës në mbarë kontinentin në tetor të vitit 2019. Praktika, e cila synonte të kursente energji që prej kohës së luftëra botërore dhe krizës së naftës së viteve ’70, u bë ligj anembanë bllokut në vitin 1996.

Të gjitha vendet e BE-së duhej të avanconin me 60 minuta akrepat në të dielën e fundit të marsit, e më pas të kthenin 60 minuta më herët të dielën e fundit të tetorit. Bulc ka thënë se shtetet anëtare kanë kohë deri në prill të vitit 2020 për të vendosur nëse do të qëndrojnë përfundimisht me orarin e marsit apo të tetorit.

Pse ndryshon ora dy herë në vit?

Fillimisht, ky vendim u mor për të kursyer energji dhe për të nxjerrë njerëzit jashtë. Pse të harxhoni energji elektrike kur ka një dritë natyrore për t'u përdorur?

Fushata për orën e verës erdhi në fillim të shekullit të 20-të. Kalimi i orës përpara në muajt e verës do të na jepte mëngjeset më të errëta, por mbrëmjet më të lehta.