Në një nga ato ditët e fundit të pranverës, kur gjëja e parë që të vjen në mendje janë pushimet, nuk është çudi të ndeshesh sërish në ekran me të njëjtin personazh që të lajmëron se edhe gjatë stinës së nxehtë ajo do të na shoqërojë sërish. Edhe në verë? Po, edhe në verë! Edhe pas verës, madje. Edhe në dimër… Po, në çdo stinë me Orin në ekran.

Megjithatë, ndërsa stinët i lënë vendin njëra-tjetrës, programet televizive njëri-tjetrit, formatet po ashtu, Ori nuk duket të jetë e njëjta, përkundrazi. I përshtatet programit që drejton me të gjithë energjinë dhe dinamikën e tij, zhytet në det në dhjetëra metër thellësi, bën not si një notare kampione, zgjohet në orën 4 të mëngjesit për të shoqëruar një bari delesh në jug të vendit, gatuan dhe flet me çdo të ftuar sikur ta kishte mik të përjetshëm dhe e bën atë të zbulojë gjithçka të pathënë më parë në publik.

Ndaj nuk na mërzitet kurrë prania e saj në ekran, përkundrazi. Ori ka aftësi që t’i bëjë të gjithë ta ndjekin, nuk bëhet asnjëherë e mërzitshme për publikun, edhe sepse formatet që drejton kanë audienca të ndryshme. Në mëngjes, ka të tjerë teleshikues që e shohin dhe e nisin ditën me të. Në “Pushime on Top”, atmosfera bëhet më verore, ndërkohë që për “Sekretet e Portokallisë” ka gjithmonë interes të dihet se çfarë ndodh në skenën e spektaklit të humorit (situatat e papritura, ku jo çdo gjë shkon sipas skenarit). Pra, Ori është “e ndryshme” në të tria formatet që drejton, prandaj nuk mund të jetë kurrsesi monotone.

Të jesh në çdo stinë në ekran, në fakt, nuk është një punë e lehtë. Për Orin është “sflitëse” të jesh krejtësisht e pashkëputur nga puna, por në fund ajo merr kënaqësi të madhe kur shikon se rezultati i punës së saj është ai që ka dashur. Gjithmonë ka vend për më mirë, thotë Ori, në këtë intervistë për revistën Class, por ky vit që po lëmë pas ka qenë mjaft i suksesshëm për të. 12 muaj në punë ia kanë vlejtur që sot Ori të ndihet krenare për atë që ka realizuar, por edhe për çfarë e pret në vitin 2020.

Duke e lënë për një moment jashtë vëmendjes karrierën për t’iu kushtuar një profili më privat të Orit, ka edhe këtu shumë për të folur. Ori është gjithmonë e qeshur në ekran, por nuk e dimë si shkon jeta e saj kur fiken dritat e kamerave, sepse ajo duket se është mjaft e kujdesshme për ta mbajtur të paprekur jetën private dhe, me siguri, kështu do të veprojë sa kohë të jetë në ekran. Por Ori një gjë e thotë me siguri - partneri i saj nuk do të jetë në fushën e medias, sepse përndryshe edhe në shtëpi nuk do t’i largohej puna.

I ka idetë e qarta. Për karrierën, jetën personale, marrëdhëniet me kolegët, çdo gjë që mbase nuk e keni dëgjuar në ekran prej saj, mund ta lexoni në këtë intervistë ekskluzive dhe do ta kuptoni që Ori ka shumë për të thënë.

Këtë vit ke prezantuar tri emisione “Wake UP”,“Pushime on Top” dhe “Sekretet e Portokallisë”, cili është emisioni tek i cili e gjen veten më shumë?

-Pa diskutim,“Wake Up”. Aty nisi gjithçka për mua. Nuk e kisha menduar një rikthim në TV, ishte mëngjesi në Top Channel që më bëri ta rimendoj. Gjithçka shkoi mirë, përvoja ime bashkë me rrethanat e reja të gjendura në Top, bënë që drejtuesit të më besonin sfida të reja si "Pushime On Top" dhe "Sekretet e Portokallisë". Janë tri formate krejtësisht të ndryshme nga njëri-tjetri. I kam moderuar me shumë dëshirë dhe kënaqësi, edhe pse ka qenë një sezon sfilitës, sepse praktikisht isha e detyruar të isha në punë nga mëngjesi në darkë, pa pushim, çdo ditë, për 12 muaj rresht. Nuk ishte kollaj, ama jam entuziaste për rezultatet. 

Jemi në muajin e fundit të vitit, si do përkufizoje këtë vit nga ana profesionale?

- Një ndër vitet më të mira, pa diskutim. “Wake Up” vijon të jetë mëngjesi i preferuar i shikuesve, që çdo ditë e më shumë e përqafojnë formatin dhe frymën e re dhe të freskët që unë dhe Isli, si rrallëherë duhet thënë, kemi sjellë në program. “Pushime On Top”, edhe me sezonin e dytë të suksesshëm, më bindi se publiku i përqafon menjëherë formatet që kanë ajër, adrenalinë dhe përmbajtje dinjitoze. Kisha nisur të mendoja ndryshe, në fakt, me çfarë ndodh nëpër media. “Sekretet”, dashuri më vete, ishte eksperienca e veçantë me personazhet dhe aktorët e Portokallisë. Do të thoja një ndër sezonet absolutisht më të mira që kam pasur e këtë e them me bindje, pasi lodhja harrohet shpejt, kur publiku vlerëson dhe shpreh dashamirësi për punën e bërë. Jam e lumtur për këtë. 

Sa të vështirë e ke të zgjohesh herët në mëngjes?

- Ah, kjo do të jetë njësoj e vështirë, gjithmonë. Ti thjesht e ndan mendjen se ky është orari i punës e çdo tekë që vjen nga dëshira për gjumë, shuhet menjëherë. Besoj kështu u ndodh të gjithëve. Ne nisim herët, ama me kënaqësi dhe adrenalinë punojmë paralelisht edhe me përgjumjen e çdo dite. “Wake Up” është kësisoj një eksperiencë krejtësisht ndryshe. 

Ka ndodhur ndonjëherë që të mos e kesh dëgjuar alarmin dhe nuk je zgjuar për në punë?

- Po. Madje e kam treguar dhe live kur ka ndodhur. Aq sa kolegët, gjithnjë qeshin me sportivitetin me të cilin unë tregoj se çfarë ka ndodhur. Unë i urrej gënjeshtrat dhe justifikimet. Nuk di ta bëj, qoftë dhe kur jam live në transmetim. Alarmi i telefonit ka qenë një rast i tillë, një nga ato netët kur telefoni bën update, dhe mua më del gjumi në 7, qoftë edhe pa alarm, ama kjo është vonesë e madhe në punën time. E sheh e gjithë Shqipëria. 

Një partner si Isli në program, çfarë të metash ka?

- Isli nuk ka të meta si koleg, nuk ka të meta si profesionist, eksperienca e tij në media është mbi 11 vite. Gjithnjë i kujdesshëm dhe i saktë. Një djalë fantastik, që të bëhet menjëherë shok. 

Ju dukeni vërtet miq të mirë, është ndonjë personazh tjetër në Top që e konkurron Islin? Pra, a ke dikë më të afërt se Islin në Top Channel?

-As edhe një, është Isli... shumë vende bosh, e pastaj kushdo tjetër. Siç thashë, ai nuk është thjesht koleg, por është ndër ata miq që rrallë të vijnë në jetë. 

Nga ekrani në emisionin “Pushime on Top”, krijohej ideja se ti realisht e shijoje këtë program. Është i vërtetë përceptimi ynë?

-Përderisa e bëra dy sezone, do të thotë që edhe unë e kam shijuar. “Pushime On Top” është një format veror, i shkurtër, por jashtëzakonisht impenjativ. 40 ditë në transmetim, çdo ditë, 60 minuta, për të pasur atë cilësi që ne kërkuam që prej fillimi e që ia dolëm me shumë punë të kemi, është sfilitëse. Puna nuk ndalon, nga mëngjesi në darkë, çdo ditë. S'ka kohë për familjen, për jetën private, për t’u argëtuar dhe pushuar. Është vetëm punë. Ama kur mbaron, nis dashuria e vërtetë, teksa përjeton mbështetjen e jashtëzakonshme që publiku i jep atij formati. Këto janë momente të pazëvendësueshme. 

Ke për të zbuluar ndonjë sekret të Portokallisë që nuk e ke thënë në ekran?

-(Qesh). Sigurisht që edhe sekretet prodhojnë sekrete. Ka pasur raste plot, kur aktorët kanë rrëfyer momente të cilat nuk kanë dalë. Kjo e bën edhe me interesant formatin. Një sekret i madh është fakti që ai program bëhet në kohë rekord me bashkëpunimin maksimal të gjithë produksionit. 

Në të tria formatet ke veshje të ndryshme: në mëngjes ke veshje më sportive ose serioze me këmisha, por qëndron tek thjeshtësia. Në “Pushime on Top”, sigurisht veshje verore, ndërsa te “Sekretet e Portokallisë” ke një gardërobë më elegante. Cili është stili yt?

-Tek të tria jam po unë. Është stili që unë kam pasur dhe kam, por i përshtatur për rrethanën apo situatën në të cilën ndodhem. Unë kujdesem të kem gjithmonë veshjen e duhur, që më jep mundësinë të jem komode, e thjeshtë, elegante, por dhe joshëse aty ku duhet. Asnjëherë s'më pëlqen ta teproj sidomos në veshje.

Cili është personazhi që e ke ftuar në emision dhe nuk të ka ardhur ende?

Nuk ka pasur ende një të tillë. Shpresoj të mos ketë. Ose shpresoj të ketë një arsye të fortë nëse nuk vjen, përndryshe unë nuk harroj (qesh).

Ka ndonjë personazh që e ke ftuar dhe je penduar?

-Ka shumë personazhe të cilët janë çdo ditë në media, por nuk thonë asgjë. Personazhe pa përjetime, pa rrëfim, që kanë nevojë t’u dërgosh pyetjet paraprakisht, në mënyrë që të mësojnë përmendësh përgjigjet e tyre. Qofshin këto dhe për çështje personale. Nuk e kuptoj se çfarë pëlqen tek ata publiku, ama mirëkuptoj të qenit publik për ca kohë të kujtdo. Fundja, në këtë vend të vogël, nuk bën diferencë të madhe. 

Mes Islit dhe Florit, cilin do të zgjidhje?

-Në fakt, nuk do ta konsideroja as si pyetje. Ështe e qartë besoj deri tani, që Islin. 

Nëse mes 3 emisioneve që drejton do të duhej të zgjidhje, cila do të ishte zgjedhja jote?

- Dashuria e parë është “Wake Up”. Por dhe “Pushime on Top” më ka dhënë shumë mundësi për të treguar anën time sportive që pak e njihnin. Por gjithsesi,“Wake Up” mbetet shtylla ime.

 

Cili është formati i emisionit që nuk do të drejtoje asnjëherë?

- Formatet sportive. Ma kanë propozuar dhe ka qenë i vetmi refuzim që kam bërë. 

Moderatorja më e mirë në Shqipëri, sipas teje, kush është (përveç teje sigurisht)?

- Nuk e konsideroj veten si moderatorja më e mirë, në fakt. Kam shumë punë për të bërë. Nuk më vjen asnjë emër ndërmend që do ta meritonte titullin më e mira. Më vjen shumë keq për këtë fakt, por tani që e mendoj më vjen më shumë keq që në asnjë fushë nuk kemi një sistem vlerash si matës të suksesit të dikujt. Ndoshta, sepse në shumicën e rasteve suksesi është i fabrikuar dhe jo i merituar. Arbana dhe Alketa janë më "të moshuarat" e këtij profesioni dhe besoj ato e mbajnë këtë titull dhe për shkak të eksperiencës që kanë fituar ndër vite. 

Je hermetike sa i përket jetës personale, a është e dashuruar Ori?

-Nuk jam aspak hermetike, ama është më bukur dhe shijon shumë kur personalja mbetet private. Besoj kështu ndihet çdo individ në këtë botë, por sigurisht mirëkuptoj dhe interesin e të gjithëve për të ditur më shumë, për të gërmuar më shumë rreth jetës private të dikujt. Edhe pse sot, në epokën e rrjeteve sociale, pak mbetet private. Unë zgjedh çfarë bëj publike, e kështu do të mbetet gjithmonë. 

Do ta doje një partner të ishte pjesë e medias?

- JOOOO. E prerë dhe e bindur për këtë. Përndryshe, në shtëpi puna do të ishte e pandashme e të gjitha bisedat do të vërtiteshin rreth saj. 

Çfarë nuk duron dot tek meshkujt?

- S'ka diçka që të them me bindje se nuk e duroj dot. Por them çfarë do vija re te një mashkull: Pastërtinë, nëse nuk e tregojnë në çdo detaj, është problem. Kur burrërinë e shohin te dhuna, qoftë verbale, qoftë fizike dhe arrogancën. U bënë tri. Besoj mjaftojnë.

E mendon veten nënë të shumë fëmijëve apo një është mjaftueshëm?

- Si fillim një, por nuk e di se si do ta mendoj pas disa vitesh. Unë kam dy mbesa që i dua shumë dhe kam një lidhje shumë të veçantë me to. Kalojmë shumë kohë bashkë dhe do të doja që kjo gjë të mbetej kështu gjithmonë. Ama kur bëhen plane për fëmijë, mendoj se ky nuk është një vendim që e marr unë, ka dhe partneri pjesën e tij në këtë vendimmarrje. 

Planet për martesë janë të afërta apo ka kohë?

- Ka kohë...

 Flokët e tu (janë dashuri me shikim të parë), na trego çfarë u bën që janë aq të bukur...

- Kjo është pyetja që më mundon çdo ditë. Më gëzon shumë, ama jam e kujdesshme gjithashtu të mos bëhem abuzive në pritshmëritë që mund të krijojnë vajzat. Nuk ka një produkt çudibërës. Ka trajtime të vazhdueshme e kujdes në çdo produkt që vendoset në flokë. Kam thuajse 5 vite që kujdesem. Nuk ndërroj shpesh shampot, ky është një truk. Sa më rrallë madje. Prandaj mendoni mirë përpara se të vendosni për markën e shampos suaj. 

Në kushte shtëpie, çfarë trajtimesh u bën flokëve dhe fytyrës?

- Herë pas here, fle me maskën e flokëve dhe i shpëlaj ato në mëngjes. Ndonjëherë miksoj çdo vaj bimor që kam në shtëpi, të tipit vaj lini, argani, avokado, kokosi, vaj ulliri, etj. I mbaj sa më gjatë në flokë e më pas i laj disa herë për të përfunduar me balsamin. Të preferuar kam vajin e arganit. 

Në këto kohë që po jetojmë është shumë e vështirë që vajzat e ekranit të mos tundohen për të kryer operacione plastike. Ti si ia ke dalë të qëndrosh natyrale?

- Fatmirësisht, të qëndrosh natyrale nuk të kushton, se ta ka dhënë Zoti falas. Tjetër drejtim kanë tundimet e mia. (Qesh)

Nëse do të kishte diçka që do të rregulloje tek pamja jote e jashtme, cila do të ishte ajo?

- Unë jam pro çdo rregullimi, jo transformimi. Që e vogël, i ankohesha tim eti se nga ai kisha marrë tiparet më joestetike; hundën dhe veshët për shembull. Jam e pavendosur nëse ndonjë ditë do të vendos të përmirësoj njërën nga të dyja. 

Komplimenti më i shpeshtë që merr për pamjen e jashtme?

- Sytë, buzëqeshja dhe këmbët. Secili me etalonet e veta të komplimenteve. 

Ke një stil mjaft të veçantë në veshje, gjithmonë tek thjeshtësia qëndron, por veçon nga të tjerat. Të ndihmon dikush apo e gjitha është puna jote?

-Askush, gjithmonë jam kujdesur vetë. Maksimumi pyes ndonjëherë motrat.

Edhe 1 muaj na ndan nga viti 2020, si ka qenë ky vit për ty?

- Do të thoja shumë i mirë. Në familje edhe në punë, çdo gjë ka shkuar mbarë. Uroj që viti tjetër të jetë edhe më mirë.

Çfarë mendon se mund të kishe bërë më mirë?

- Të gjitha, çdo gjë. Unë jam shumë kërkuese, asnjëherë nuk i them vetes "e qave me lot këtë punë", ama kujdesem të mos kem asnjë pishman, vetëm deshirën për t'u përmirësuar në çdo gjë. Kjo jo si sfidë, por si motivim.

Projektet e reja që nuk i dimë për Orin?

- Do t’i dini kur t’u vijë koha. Ende nuk kam konfirmuar asgjë. Mora pak kohë pushim nëse mund ta quaj kështu, duke qenë çdo ditë në punë që në 6 të mëngjesit. 

Jeta jote perfekte, e përshkruar në tri fjalë…

- Nuk kam jetë perfekte, nuk e dua. Dashuroj gabimet dhe sukseset që vijnë pas tyre. Kam çdo gjë që dua: kam tri motra e një mama që ma mbushin shpirtin me dashuri, një punë të mirë, miq të mirë e para aq sa duhet për të shijuar momentet e mia. Nuk mendoj për ato çfarë nuk kam, shijoj ato çfarë kam.

Credits:

Fotot: Class Photography, Orsola Mema 

Grimi: Class Hair and Makeup

Design: Xhesika Berisha