Ditën e sotme është zhvilluar mbledhja e 10 e jashtëzakonshme e qeverisë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Kreu i qeverisë, Edi Rama deklaroi se hotelet duhet të zbrazen pas vitit të ri. Rama tha se hapja e dyerve duhet të jetë shumë e kujdesshme sepse duan të qëndrojnë në hotel për festa edhe nëse nuk kanë dëme nga tërmeti. Ai u shpreh se ka dy opsione për ata që i janë dëmtuar shtëpitë:

I pari do të ishte që të marrin paratë dhe të gjejnë një shtëpi me qira derisa të mbarojë ndërtimi i shtëpive, ose opsioni i dytë do të ishte të futen në shtëpitë me qira që i gjen shteti.

“Hotelet duhet të fillojnë të zbrazen pas vitit të ri. Hapja e dyerve tani duhet të jetë shumë e kujdesshme sepse mund të ketë disa që thonë hajde se po shkojmë në hotel të kalojmë Vitin e Ri aty. Në hotel tani janë 4000 e disa qindra persona që janë më të prekurit, jo të gjithë, por kjo tani është kapërcyer. Familjeve në hotele do i ofrojmë dy rrugë, rrugën e qirasë me lekë në dorë, merr fondin derisa ne të japim shtëpinë e re”, shprehet Rama.

Ai shtoi se alternativat janë dhënë kështu që nuk është më e nevojshme që të qëndrojnë në hotel dhe familjet që do të futen me qira do të skanohen. “Brenda atij fondi në Durrës dhe Thumanë ka dhe një ekstra për transportin. Rruga tjetër është t’ia ofrojmë ne. Kjo është shtëpia me qira futu. Ne i kemi alternativat prandaj nuk kanë pse të qëndrojnë në hotel. Familjet që do futen me qira të skanohen. Jo ata që nuk kanë lidhje me tërmetin drejtpërdrejtë. Ata të kthehen atje ku ishin”, tha Rama.

Burimi" Top Channel