Datëlindjet, festat e fundvitit apo qoftë edhe një moment që duhet ruajtur në kujtesën tonë kanë nevojë për një dhuratë, për një souvenir që të mbetet aty si shenjë e harmonisë, dashurisë, ngrohtësisë që njerëzit ndajnë me njëri-tjetrin.

Dhe libri mbetet një prej atyre dhuratave të paçmuara, që i bën ballë kohës dhe hapësirës dhe kjo ide më përforcohet edhe më tepër nga librat që më kanë dhuruar dhe kam dhuruar ndër vite. Por më tepër se ideja e dhuratës, libri është fryma që na përcillet nga ai që na e dhuron. Sa herë kam mall për tim gjysh, i afrohem bibliotekës dhe gjej librat me shënimet e tij. Një libër i vitit 1943, “Mall e brengë” i Fan Nolit, ku me shkrimin e tij të dridhur, ende në moshën e njomë 18-vjeçare, por patriot me zemër të madhe, shkruante: “Gjete një vëntë në Vlorë/ dhe u ngule moj zhgabonjë/ nga një dorë e një plaku/ bir i saj dhe shtëpi oxhaku/ nga shtëpia që të rri/ e aty ty flamur të ngriti”.

Tani, imagjinoni, një libër dhuruar vëllait a një familjari tjetër, të dashurit a të dashurës (që do t’i mbetet libri, edhe sikur të ndaheni), një kushtim nga mami apo babi, apo një kushtim juaji në faqen e parë, ose me një nënvizim diku nga mesi a fundi i librit, një lulkë e vizatuar diku në një cep (Po, mendoj që librat nuk duhet të mbahen të paprekur, por duhen jetuar), çfarë emocioni do t’ju ngjallë pas ca vitesh, çfarë nostalgjie, çfarë dëshire për të lënë copëza të vetes te të tjerët.

Jo më kot, Daniel Pennac shkruan: “Kur një njeri i shtrenjtë na jep një libër për ta lexuar, ne kërkojmë, së pari, bash atë nëpër rreshta, kërkojmë shijet e tij, arsyet që e shtynë të na e rraste librin mes duarve, kërkojmë shenjat e një veprimi vëllazëror.”

E pra, që të shkëmbejmë sa më shumë ngrohtësi e dashuri me njëri-tjetrin, ja tek ju sugjeroj disa tituj:

Për baballarët dhe bijat e tyre, “Cironka” e Lisa Brennan-Jobs, do të ishte dhurata e duhur për të njohur njëri-tjetrin, baballarët mund të mësojnë vështirësitë e rritjes së një bije dhe bijat të zbulojnë dilemat e baballarëve.

Për më të vegjlit tanë, dy libra shumë të bukur do të ishin: “Aventurat e pazakonta të shegertit të vogël” dhe “Tre ujqit e vegjël”.

Përralla kroate e shegertit që ndihmon të tjerët dhe ata ia kthejnë dyfish mbështetjen është një prej mesazheve më të bukura që mund të jepen në frymën e Krishtlindjes, të paqes dhe mirësisë.

Ndërsa “Tre ujqit e vegjël”, do t’u tregojë fëmijëve se përmes së bukurës, përmes librit dhe artit, mund të bëhet i mirë edhe egërsira më e keqe.

A ka më bukur se një dhuratë si romani “Përçmimi” i Alberto Moravia-s për çiftet e reja e të vjetra, të dashuruar apo të martuar, në paqe me njëri-tjetrin apo në krizë! Një libër që do t’i ndihmonte të njihnin veten dhe tjetrin, të analizonin së bashku veprimet, gjestet, mendimet, dëshirat, persepektivat e tyre drejt qëllimit më të madh që kemi, lumturisë.

Për vajzat e forta ose të brishta, për vajzat që enden në terr për të gjetur udhën e tyre në një vend paragjykues, “Muza e haresë” i Goliarda Sapienza-s, “Xhejn Er” i Chalotte Brontë...

...apo “Mami, unë dhe mami” i Maya Angelou-t do t’u jepte frymëzimin e duhur për të qenë vetvetja, të paepura për ta jetuar jetën ashtu siç duan.

E për ta njohur jetën e rrugës, mbijetesën e vështirë, arritjen e ëndrrës dhe frikën nga fama, mund ta gjeni të shpalosur mrekullisht në romanin “Hollywood” të Charles Bukowski-t.

Po dashurinë e ndaluar, atë që bën të dridhet edhe një burrë, dashuri që s’e pat njohur gruaja kurrë, ku mund ta gjeni? E ku tjetër përveçse te “Ora e ligë” i Tom Kukës (Enkel Demit), që do t’ju zbulojë një gjëmë dhe një mollë të ndaluar, një gjakmarrje dhe shpirt e epsh shkrirë në një.

Po ata që janë lënduar nga humbje apo trauma të mëdha, ku mund të gjejnë një fije mbështetje? Në librin e tyre, "Plani B", Sheryl Sandberg dhe psikologu Adam Grant, shkruajnë se njeriu është në gjendje ta marrë sërish veten pas ngjarjeve të rënda e tragjike, ndaj urojmë që të lehtësojmë sadopak dhembjen tuaj përmes leximit.

Festa të bukura, plot kujtime shpirtërore!