Me siguri, ka shumë gjëra që e ardhmja në politikë i ka rezervuar, por ka diçka të sigurt që ajo i njeh vetes si virtyt të pakontestueshëm: njohjen dhe mbërritjen e qëllimeve. Dhe përmes kartës së pushtetit, si një nga ato mundësitë e arta që ta dikton pozita dhe angazhimi në politikë, ajo ka ditur gjithmonë të bëjë lëvizjet e duhura, mbi të gjitha të jetë qëndrestare në ato objektiva të palëvizshme që e di se duhet të jenë ndryshe...Ndoshta, këtë tipar e ka të trashëguar nga i ati. Azem Hajdari, një nga figurat që i bëri rezistencë politikës së sulmit dhe baltës, e që sot vijon të nderohet në radhët e atyre burrave të shtetit që i lanë këtij vendi pasurinë e paçmueshme: atë të dinjitetit njerëzor.
Rudina Hajdari këtë e ka dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme. Prej disa ditësh, mediat dhe politika në vend po "ziejnë" për shkak të së ashtuquajturës Reforma Zgjedhore, që uli bashkë në një tryezë kundërshtarët politikë. Përkrah disa përfaqësuesve politikë, në një tavolinë të dominuar nga burrat, ajo ishte e vetmja grua. E fortë, me qëndrimin stoik në publik dhe në daljet mediatike, Rudina Hajdari provoi edhe njëherë se asnjë grua nuk mund të ketë limite shoqërore, sidomos kur ato shkojnë përtej interesit personal dhe atij të lidhur ngushtë me pushtetin.
Jo pak herë është atakuar, edhe nga segmentet brenda opozitës, sidomos pas vendimit të saj për të mos iu bashkuar vendimit për djegien e mandateve, ndaj zgjodhi e vetme të ecë në rrugën që do e çojë drejt objektivit të saj. Sepse Rudina e ka të pastër qiellin mbi kokë. Pa re që mund t'ia zbehin shkëlqimin apo gjithë aureolën e profilit të një gruaje self made.
Orientimin opozitar është duke e zhvilluar dhe lartësuar dita-ditës, dukshëm politika i merr angazhimin më të madh të jetës së saj. Në një nga intervistat e rralla, ku flet më pak për politikën dhe më shumë për veten, si një grua e realizuar në karrierë, për synimet, për vëllezërit dhe të ëmën, për familjen e saj të vogël dhe raportin me të bijën, duke i mëshuar shpesh edhe vendimeve më të rëndësishme që ka ndërmarrë ndër vite, por që dukshëm i kanë ndryshuar tërësisht rrjedhën e jetës...Përtej politikës, si një terren i dominuar nga burrat, Rudina ndan me të gjithë lexuesit e Class anën e saj të panjohur duke u kthyer në një shembull frymëzimi për shumë gra dhe vajza të tjera që duan të ndjekin rrugën e saj në politikë ose të paktën të shkelin në gjurmët ku ajo po ecën me hapa të sigurt...
Rudina, sapo keni nisur një vit tjetër me të tjera angazhime politike dhe parlamentare për ju.Ndonëse ju nuk iu bashkuat vendimit të Partisë Demokratike për të hequr dorë nga mandati, ne vazhdojmë t'ju shohim të angazhuar në daljet publike, në aktivitete të rëndësisë së veçantë, etj. Keni marrë aktualisht një vendim për orientimin tuaj në politikën shqiptare?
Ky lloj aktivizmi në fakt erdhi për shkak se tetë muaj mëparëmora përsipër të dilja kundër braktisjes së mandateve nga opozita e Shqipërisë, duke e gjykuar si një vendim të gabuar dhe të dëmshëm për demokracinë në Shqipëri.Që prej asaj dite, unë jam angazhuar së bashku me deputetët e opozitës në Parlament për të formësuar një opozitë konstruktive, që ka si qëllim futjen e një fryme të re në politikë, ku dominon fjala e lirë dhe synon zhbërjen e politikës së vjetër që e ka zvarritur tranzicionin në Shqipëri.
Jeni vetëm 32 vjeç dhe prej disa kohësh jeni një nga figurat politike më protagoniste në vend. Mendon se faktori moshë mund “tëvulosë” arritjet e një gruaje në politikë?
Faktori moshë, shpeshherë dhe të penalizon në një shoqëri si e jona, por unë e shoh në avantazhintim, pasi kam energji të plotë dhe të palodhur për t’u përballuar me të gjitha sfidat që më dalin përpara. Gjithashtu, kohën e kam në avantazhin tim për të çuar përpara ndryshimet që kërkojnë kohë të gjatë për të dhënë frytet e duhura.
Pse vendosët ta linit Amerikën, në një kohë kur ju investuat bindshëm në studime atje dhe keni jetuar afro 20 vjet? Sot, mendon se është vendimi më i mirë që keni marrë për veten dhe të ardhmen profesionale?
Gjithmonë qëllimi im ka qenë të kthehem në Shqipëri dhe të ndjek hapat e tim eti, kjo ishte me rëndësi të madhe për mua. Mendoj se kam shumë për të dhënë në këtë drejtim dhe dua të kontribuoj në zhvillimin dhe në rrugën europiane të Shqipërisë, ndaj dhe nuk pendohem aspak.
Ishte e vështirë përfshirja në politikën shqiptare? Si i kujtoni fillimet?
Patjetër që ka qenë e vështirë, duke marrë parasysh edhe faktin që kisha vite që isha shkëputur nga Shqipëria dhe isha shkolluar në një vend tjetër, ku ekziston një tjetër mendësi dhe kulturë, shumë e ndryshme nga Shqipëria. Gjithsesi, nuk mund të anashkaloj faktin se kam pasur dhe mbështetje nga shumë njerëz të dashur që kanë vlerësuar kthimin tim në vend si një sakrificë e madhe, por dhe më kanë vlerësuar si vajza e një heroi të madh.
Ka pasur një moment kur keni menduar se politika nuk do të ishte ajo "toka e sigurt" ku ju donit të investonit energjitë, njohuritë?
Ka pasur momente të vështira në politikë dhe mendoj që do vazhdojë të ketë, pasi i tillë është ambienti ynë, por gjithmonë kam qenëdhe jam e përgatitur për këtë gjë, kështu që mendoj se jam në tokën e sigurt, pasiçdo gjë buron nga një atdhedashuri dhe dëshirë për një të ardhme më të mirë.
Mendoni se jeni mjaftueshëm frymëzuese për brezin e ri të vajzave që duan t'i futen politikës?
Jam përpjekur dhe vazhdoj të përpiqem të jem një model i mirë për t’u ndjekur për vajzat që duan t’i futen politikës, por mbi të gjitha, për të krijuar një model të ri të një politikaneje që udhëhiqet nga integriteti dhe vlerat dhe nuk ndikohet nga askush.
Keni një këshillë për to?
Mos lejoni askënd t’ju mbajë prapa, por shfrytëzojeni potencialin tuaj deri në fund, sepse një shoqëri me vajza dhe gra të edukuara mirë dhe të pavaruara është një shoqëri më e shëndoshë, më e sigurt dhe më e zhvilluar.
Cila është politikania shqiptare që ju frymëzon më shumë?
Musine Kokalari!
Fuqizimi i gruas në politikë përballë burrave që janë forcë dominuese është mjaft sfidues. Cilat janë mekanizmat që mendoni se mund të ndihmojnë në këtë pikë?
Nuk duhet në asnjë moment tëmendosh që je në disavantazh se je femër, por duhet të futesh në mentalitetin maskilist dhe ta dominosh atë me butësi dhe me zotësi. Por nga ana tjetër, asnjëherë nuk duhen luftuar“mostrat” deri në atë pikë që të kthehesh në një mostër vetë. Duhet të ruash identitetin tënd dhe mos të harrosh kush je. Të marrësh forcë nga familja jote dhe njerëzit që të mbështetin. T’i falënderosh çdo ditë dhe t’u dedikosh kohë njerëzve që e meritojnë kohën tuaj.
Çfarë do të thotë të jesh një grua në politikë?
Mendoj se është një përballje e fortë me realitetin e hidhur, që një grua nuk është në gjendje të mbajë një familje dhe të përballojë një punë me një përgjegjësi të madhe. Ndërkohë, kjo nuk është aspak e vërtetë. Nëse një grua ndihet e realizuar, ajo është më shumë në gjendje të japë kontributin e saj në familje. Një grua e realizuar është një grua që frymëzon familjen e saj për të jetuar një jetesë më të lumtur. Një grua në politikë është një hap më shumë për realizimin e ëndrrave që kemi për fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm.
Çfarë mendon se nuk pranojnë dot deputetët(burra) tek koleget e tyre?
Nuk pranojnë një grua që ka mendime të pavarura dhe nuk e kuptojnë nga e marrin forcën, kur ato luftojnë për ato mendime pa mbështetjen e tyre.
Përtej politikës, cila është jeta juaj e përditshme?
Unë jam nënë e një vajze të vogël, Sihanës, dhe sigurisht përtej politikës dhe punës, i dedikohem plotësisht vajzës, duke e çuar në kopsht, apo në vende të ndryshme ku ajo argëtohet.
Rituali i mëngjeseve tuaja… një kafe, një lexim i shpejtë i postës elektronike?
Si fillim, çohem shumë herët, sepse gjej qetësi dhe kohë për veten, pi një kafe filtër dhe përgatitem për ditën. Më pas, çoj vajzën në kopsht, iki në zyrë, porosis një kafe tjetër (ekspres), dhe lexoj gazetat e mëngjesit ose filloj takimet sa më herët, në mënyrë që të fitoj sa më shumë kohë gjatë ditës.
Ju jetoni e ndarë mes Shqipërisë dhe Amerikës. Çfarë ju mungon më shumë nga stili i jetës që kanë amerikanët?
Mosfutja e hundës vend e pa vend. Amerikanët kanë një shprehje që thonë ‘it’s none of your business”, që është një koncept që nuk përdoret/zbatohet këtu.
Këshilla që i përsëritni vajzës çdo ditë?
Të falë dashuri dhe mos t’i diferencojë njerëzit asnjëherë nga pamja e jashtme.
Çfarë marrëdhënieje keni me mamin, me vëllezërit?
Mamin dhe vëllezërit i kam si shokë, shkojmë shumë mirë, pavarësisht se ngarkesa në punë ndonjëherë është e madhe dhe mund të mos kalojmë dot shumë kohë së bashku.
Vëllai i madh është gjithashtu i përfshirë në politikë. Duket se familja Hajdari, politikën e ka në ADN, i referohem këtu të ndjerit, babait tuaj. Sa ju mungon ai sot?
Më mungon shumë çdo ditë, por prezenca e tij është në çdo moment në jetën time, qoftë atë politike, por edhe në jetën personale.
Azem Hajdari, edhe sot konsiderohet si një ndër liderët e parë të Partisë Demokratike që solli një erë të re të politikës me angazhimin e tij në këtë forcë. Mendoni se i ngjan sadopak atij në filozofinë e të bërit politikë në Shqipëri?
Mendoj se po! Ai kishte filozofinë se njeriu duhet të jetë i lirë dhe se Shqipëria i përket perëndimit, dhe nga të njëjtat parime udhëhiqem edhe unë.
Ju pëlqen kur ju identifikojnë si Rudina Hajdari apo si e bija e Azemit?
E kam nder të identifikohem, si e bija e Azemitdhe që kam lindur në Tropojë.
Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga politika?
Jo, nuk e kam menduar, pasi kur vendosa të futem në politikë, patjetër që isha e përgatitur që do jetë e vështirë, aq më tepër në një vend si i yni ku dominohet nga disa individë për vite me radhë dhe lufta për pushtet është shumë e ashpër dhe pa rregulla njerëzore.
Nëse nuk do të investonit në politikë, çfarë drejtimi do të kishte karriera juaj?
Unë kam mbaruar studimet për Shkenca Politike, si dhe studimet master “Për të drejtat e Njeriut” dhe gjithmonë kam synuar të punoj drejt një ndryshimi për shoqërinë, dhe politika ta ofron këtë mundësi. Gjithsesi, ka edhe mënyra të tjera shumë të mira siç është përfshirja me shoqërinë civile. Më pëlqen të jem pranë njerëzve dhe t’i dëgjoj ata. Botëkuptimi njerëzor s’ka kufi, por duhet të mundohesh të kuptosh se çfarë i shtyn ata, çfarë i pengon dhe ku duan të shkojnë. Pakënaqësitë janë të shumta, prandaj mendoj se në profesionin tim duhet të qëndrosh pozitive dhe të jesh sa më shumë shpresëdhënëse, duke u përpjekur me aq sa ke mundësi të ndihmosh.
Rudina, kemi dëshirë të dimë më shumë për ju si grua. Cili është kujdesi që tregoni për veten?
Nga koha e kufizuar, shpeshherë e anashkaloj, por përpiqem që të kujdesem për veten, duke dalë për vrap nga liqeni.
Bëni trajtime estetike?
Jo, nuk para bëj trajtime estetike.
Ju pëlqejnë udhëtimet? Cili ka qenë udhëtimi më i bukur që keni bërë deri më sot?
Mendoj se shijet ndryshojnë me kohën. Udhëtimet nuk më pëlqejnë aq shumë sa më parë. Ideja e pushimeve për mua është kohë me familjen dhe të rri me ta në vende të qeta dhe relaksuese, jo shumë larg.
Veshjet i blen këtu apo jashtë?
Varet, mjafton të më pëlqejë diçka dhe të jetë e përballueshme, nuk ka rëndësi nëse e blej këtu apo jashtë vendit.
Ndihesh e plotësuar në këtë fazë të jetës që je sot?
Kam punuar fort që të krijoj rrugën time, dhe të kuptoj qëllimin pse jam këtu ku jam. Ndonjëherë jeta ka shumë tëpapritura, por mendoj se plotësimi i vërtetë vjen kur dikush lufton dhe përpiqet të përmbushë objektivat dhe ëndrrat e tij/saj.
Credits:
Design: Xhesika Berisha