Para se Mariza Ikonomi të dilte në skenën e festivalit dhe të këndonte “Telefonatë zemrash” me Françesk Radin, si fillim duhet të ndryshonte look. S’mund të këndonte në skenën e madhe me një palë syze me skelet të trashë, që i zinin pothuaj të gjithë fytyrën. E ëma nuk mund të pranonte që vajza 10-vjeçare të këndonte pa ndërruar syzet, të paktën. Por aq ishte vetëm fillimi…

Pas festivalit dhe suksesit të këngës, edhe ai djali që Mariza e kishte qejf në klasë (por ai nuk ia varte), kishte filluar t’i fliste vetë Marizës: “Po unë isha bërë e famshme pastaj…”.

E ftuar pasditen e djeshme në “E diell” në Top Channel, Mariza kujtoi me nostalgji shumë prej momenteve të bukura kur me shumë kolege dhe mikesha të saj e nisi rrugëtimin në Pallatin e Pionierëve, garat muzikore në Festivalin e Shkodrës e më tej, edhe simpatitë e para jashtë Liceut.

E pyetur për flirtet dhe pëlqimet në kohën kur studionte në Lice, Mariza thotë se “kanë qenë kohëra të çuditshme. Ka pasur edhe nga ata që ty as nuk të hynte në sy fare, por ai bënte sikur të kishte të dashurën e vet, mjaftonte të shihte…”

“Pastaj ka qenë edhe dashuria e parë, nuk diskutohet. Por unë nuk e gjeta në Lice, e gjeta në “Sami Frashëri”, – kujton Mariza, madje edhe duke pranuar se nuk ishte ai që vinte nga Samiu në Lice, por ishte ajo që shkonte te “Sami Frashëri”.

Po kur linte orët e mësimit ku shkonte Mariza?

“Nuk besoj se ka njeri që nuk i ka lënë orët e mësimit. Kjo nuk është ndonjë gjë…”, – thotë këngëtarja dhe e ka gati edhe përgjigjen tjetër: “Ku shkoja unë? Te “Sami Frashëri…”

Po sot? Ka edhe sot ngacmime, ka edhe të çuditshme gjithashtu. Vetëm se Mariza është në pjesën më të madhe të kohës me kufje të mëdha në vesh dhe duket se nuk ka interes të shohë apo dëgjojë… Derisa të vijë momenti kur dikush t’ia dalë t’ia largojë pak artistes vëmendjen nga muzika.