Konferenca e organizuar nga Bashkimi Europian ditën e djeshme në Bruksel, me fokus mbështetjen e Shqipërisë për rindërtim pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, duket se kaloi çdo pritshmëri për mbledhjen e fondeve në ndihmë të vendit tonë.

Në formë grantesh, huaje apo donacione shifra e mbledhur është plot 1.15 miliardë euro! Mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar një zinxhir të jashtëzakonshëm solidariteti për të rindërtuar Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

Bashkësia ndërkombëtare ka bashkuar forcat për të treguar solidaritetin e saj me Shqipërinë. Donatorët nënshkruan dje një angazhim kolektiv (grante dhe kredi) prej 1.15 miliardë eurosh për Shqipërinë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen ka njoftuar se donatorët ndërkombëtarë kanë lënë mënjanë 1.15 miliardë euro për të ndihmuar Shqipërinë, gati dyfishi i sasisë së pritshme nga politika në Tiranë.

"Jam shumë e lumtur të njoftoj se Bashkimi Evropian, i cili përbëhet nga Komisioni, Banka Evropiane e Investimeve dhe Shtetet Anëtare së bashku u zotuan që të dhurojnë 400 milion euro. Por shkoi edhe më mirë, sepse sot kemi kaluar përtej pritshmërive: bashkësia ndërkombëtare është angazhuar të dhurojë një miliardë e 115 milion për Shqipërinë", u shpreh dje Ursula Von Der Leyen në fund të konferencës.

Më 26 nëntor 2019 një tërmet me fuqi 6.3 ballë të shkallës Rihter goditi Shqipërinë, duke shkaktuar shkatërrimin e infrastrukturës publike dhe private, duke prekur mijëra familje dhe duke shkaktuar 51 humbje në jetë njerëzish, 917 të plagosur dhe 17 mijë persona të zhvendosur. Mijëra ndërtesa janë dëmtuar rëndë, përfshirë shkollat â??â??dhe objektet e kujdesit shëndetësor.

Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe qeveria shqiptare kryen një vlerësim të nevojave pas katastrofës të bërë publik në fillim të shkurtit.

Ekspertët e përfshirë në këtë proces vlerësuan dëmet në vlerë prej 985 milionë euro. Raporti i vlerësimit të nevojave ishte një mjet kryesor udhëzues për konferencën e djeshme të donatorëve dhe do të shërbejë si bazë për përpjekjet e rindërtimit dhe rehabilitimit.