Familja e Caroline Flack ka publikuar një letër që prezantuesja mendonte ta postonte në Instagram, pak para se të vetëvritej. Ajo u gjet e varur në apartamentin e saj të shtunën. Në mesazhin e papublikuar, ajo rrëfen si i ndryshoi totalisht jeta, pasi u arrestua me akuzën e sulmit ndaj partnerit të saj, Lewis Burton, në dhjetor të vitit të kaluar.

E ëma e Flack ka treguar se Caroline u këshillua të mos e publikonte mesazhin, i cili tanimë është vendosur të bëhet publik me anë të Eastern Daily Press.

Me sa është bërë e ditur, Flack dhe Burton patën një debat dhe për shkak të gjendjes së rënduar emocionale të prezantueses ndodhi një aksident. Ajo u arrestua me akuzën e dhunës në familje. Gjyqi pritej të mbahej në mars, edhe pse i dashuri i saj nuk dëshironte që çështja të vazhdonte. Po ashtu, ata ishin urdhëruar të qëndronin larg dhe të mos komunikonin me njëri-tjetrin.

Në mesazhin e Caroline, ndër të tjera, shkruhej:

“Kam pranuar turpin dhe opinionet toksike në jetën time për më shumë se 10 vite, duke i thënë vetes se është pjesë e jetës sime. Nuk ankohem! Problemi kur fsheh gjërat poshtë tapetit është se një ditë dikush do ta ngrejë atë tapet dhe do të ndihesh në siklet dhe e turpëruar.

Më 12 dhjetor të 2019-ës u arrestova me akuzën e sulmit ndaj të dashurit tim. Brenda 24 orëve bota dhe e ardhmja ime më kaluan poshtë këmbëve dhe të gjithë muret që i kisha ndërtuar me mund u shembën. Papritur jam në një vend tjetër dhe të gjithë po e shohin çfarë po ndodh.

I kam mbajtur gjithmonë përgjegjësitë, edhe për atë që ndodhi atë natë. Por e vërteta është se... ishte një aksident. Kam shumë kohë që kam probleme emocionale. Por unë nuk jam e dhunshme. Patëm një debat dhe ndodhi një aksident. Ajo që dikush ia shiti një gazete ishte diçka imja dhe kjo është shumë e trishtueshme dhe shumë personale.

Arsyeja pse po flas sot është sepse familja ime nuk e përballon dot më. Kam humbur punën, shtëpinë dhe aftësinë për të folur. E vërteta m’u mor nga duart dhe u përdor si argëtim.

Nuk mund ta kaloj çdo ditë e fshehur dhe të më thonë që nuk mund të flas me askënd. Më vjen shumë keq për familjen time, për këtë që ju kam shkaktuar dhe më vjen keq për atë që u është dashur të kalojnë miqtë e mi.

Nuk po mendoj si të rikthej karrierën time. Po mendoj si të rikthej jetën time dhe të familjes.”

Pas largimit të Flack nga jeta, kompania e saj e menaxhimit tha se pas arrestimit, prezantuesja ishte në një presion të madh dhe ka kritikuar Crown Prosecution Service që refuzoi të ndalonte çështjen, pavarësisht kërkesës së Burton.