Stresi i lidhur me punën ka një prevalencë të lartë tek punonjësit në Shqipëri. Ky është konkluzioni i një studimi të fundit nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili shton se, stresi i përjetuar nga punonjësit ka potencialin të ndikojë negativisht në cilësinë e jetës së tyre.

Studimi u përqendrua në Tiranë dhe në të u përfshinë 800 persona të punësuar. Për të matur nivelin e stresit u përdor Shkalla e Stresit në Punë dhe për të identifikuar faktorët stresant u hartua një pyetësor i cili përmban shkaktar të stresit në punë të identifikuar nga studime të kryera në vende të tjera.

Sipas formës së matjes së Shkallës së Stresit në Punë, një pjesë e konsiderueshme e punonjësve (48.5 %) përjetojnë stres të nivelit të moderuar dhe 12.4% e punonjësve përjetojnë stres të nivelit problematik.

Të dhënat e përftuara tregojnë se femrat (51.5%) janë më të prirura se meshkujt (43.3%) për të përjetuar stres të nivelit të moderuar, por nuk kanë diferencë me ta në përjetimin e stresit të nivelit problematik (femrat 12.4%, meshkujt 12.6%). Sipas studimit, një shpjegim i mundshëm mbi këtë fakt është se pavarësisht nga profesioni, femrat janë më të ekspozuara se meshkujt ndaj disa faktorëve stresant siç janë rolet e shumëfishta, pengesat për një karierë normale dhe diskriminimi.

Arsyet

Gjetjet e studimit sugjerojnë gjithashtu se kushtet jo të mira fizike; ngarkesa e punës; orët e zgjatura të punës; rreziku fizik në punë; përgjegjësia për njerëzit e tjerë; promovimi përtej mundësive; mungesa e sigurisë në punë; marrëdhënie negative me shefin apo kolegët; komunikimi i papërshtatshëm me shefin apo kolegët; dhe mungesa e pushimeve në punë nuk ndikojnë në rritjen e nivelit të stresit tek punonjësit.

Ndërsa faktorë si presioni i kohës; paqartësia e rolit; konflikti i rolit; mungesa e promovimit; vështirësia në delegimin e punëve; puna jo e mirë në grup; mungesa e pjesëmarrjes në vendimmarrje; trajtimi i pabarabartë në punë; angazhimi në detyra të vështira; dhe niveli ulët i pagës, nd-ikojnë në rritjen e nivelit të stresit tek punonjësit.

Metodologjia:

Për të matur nivelin e stresit në punë dhe për të identifikuar faktorët të cilët e zhvillojnë atë u shpërndanë gjithsej 800 pyetësorë. Te të gjitha institucionet dhe sipërmarrjet e përfshira në studim, pyetësorët u shpërndanë në mënyrë rastësore. Pyetësorët u shpërndanë nga persona të trajnuar, të cilët kanë qëndruar në dispozicion të pjesëmarrësve për të shpjeguar çdo paqartësi të mundshme në lidhje me pyetjet. Në sektorin privat u shpërndanë gjithsej 350 pyetësorë. Bizneset, të cilat u përfshinë në studim janë call center, zyra investimesh, shtypshkronja, banka të nivelit të dytë dhe kompanitë telefonike.

Në sektorin publik u shpërndanë gjithsej 450 pyetësorë. Në administratën publike u shpërndanë 235 pyetësorë. Institucionet në të cilat u shpërndanë pyetësorët janë Inspektorati i Shëndetit Publik, Ministria e Brendëshme e Republikës së Shqipërisë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe 2 mini bashki të qytetit të Tiranës. Në sektorin e shëndetësisë u shpërndanë 95 pyetësorë. Pyetësorët u shpërndanë në Qendrën Spitalore “Nëna Terezë”. Në sistemin arsimor u shpërndanë 120 pyetësorë dhe në studim u përfshinë 6 shkolla 9-vjeçare të qytetit të Tiranës. Nisur nga natyra sensitive e objektivit të këtij studimi dhe për të respektuar kërkesën e një pjesë të personave të pyetur, emrat e disa institucioneve nuk janë bërë publike në studim.

Burimi: Monitor