Më jep një litar, dua të vras veten”, dëgjohet të thotë 9-vjeçari Quaden Bayles në një video të postuar nga nëna e tij në internet. Menjëherë pas shpërndarjes së videos, e cila është fokusuar te bullizmi në shkollë, në adresë të 9-vjeçarit kanë shkuar me mijëra mesazhe mbështetëse, përfshirë edhe personazhe të njohur, fëmijë, bashkëmoshatarë e të rritur nga e gjithë bota.

Quaden Bayles, djaloshi 9-vjeçar me llojin më të zakonshëm të xhuxhit, achondroplasia, ka bërë për vete një numër të madh artistësh e personazhesh të njohur nga e gjithë bota.

Duke nisur që nga Hugh Jackman, i cili ka postuar një video në mbështetje të djaloshit, aktorë, këngëtarë e sportistë nga e gjithë bota kanë shprehur mbështetjen e tyre.

Komediani i njohur amerikan, Brad Williams, dhuroi 200 mijë dollarë për 9-vjeçarin që theu zemrat e rrjetit duke i mundësuar atij edhe një udhëtim në Disneyland.

Brad Williams ka hapur gjithashtu edhe një faqe “GoFundMe” për të bërë të mundur mbledhjen e sa më shumë të ardhurave për vogëlushin.

Quaden, pas mbështetjes së madhe të rrjetit, ka inkurajuar të gjithë bashkëmoshatarët për të gjetur forcë brenda vetes dhe për të vazhduar përpara.

Në faqen e tij, Williams, shkroi të premten: "Po hap këtë “GoFundMe” për të ndihmuar Quaden dhe për t’u treguar të gjithëve se bullizmi nuk mund të tolerohet. Quaden është një djalë i mrekullueshëm që meriton gëzim."

Këtë të premte, më shumë se 10 mijë njerëz kanë dhuruar rreth 240 mijë dollarë australianë në emër të 9-vjeçarit.

Personazhe si Hugh Jackman, Mark Hamill, Eric Trump, Ellie Simmonds dhe shumë të tjerë kanë postuar videon e Quaden në profilet e tyre dhe kanë shprehur mbështetjen për të.

Nga personazhet shqiptarë, Vesa Luma ka qenë ndër të parat që ka shprehur indinjatën dhe mbështetjen e saj për vogëlushin nga Australia. Duke kujtuar vitet e fëmijërisë dhe shkollën fillore, Vesa ka shkruar në llogarinë e saj se dikur, edhe ajo ka vuajtur duke qenë viktimë e bullizmit.