Nesër mbrëma është nata e dytë e edicionit të tretë të spektaklit të mezipritur të fëmijëve dhe të rriturve. Aventurierët e vegjël të anijes së re të Piter Panit, që tashmë ka nisur lundrimin, dalëngadalë po mësohen me “profesionin” e tyre të ri. Gazetarët e ardhshëm kanë shfaqur qysh në javën e parë aftësitë e tyre, madje duket se nuk e kanë fare problem të vënë në siklet dhe t’u drejtojnë lloj-lloj pyetjesh pikante të ftuarëve (edhe kur nuk kuptojnë ushqyerjen me gji).

Deoni, bashkëprezantues me Alketën, e ka marrë seriozisht këtë vit prezantimin, por ka pas vetes edhe bashkëmoshatarët; Nikolla, Fladia, Amaris, Anri, Ariz, Emel, Skyla, Kristi, Herla dhe Mattia.

Të gjithë janë po aq të gatshëm për të thumbuar këdo që ulet para tyre.

Po cilët do të jenë në kurthin e anijes këtë javë?

Olsi Bylyku

Në thelb, ai është një Piter Pan nga i cili e ka të vështirë të shkëputet. Megjithëse mjaft i ri ka nisur suksesshëm rrugën e tij në aktrim, Olsi shfaq herë pas here dëshirën për të qenë “i vogli i të gjithëve”. Dhe ku më mirë se në anijen e Piter Panit ka një vend ideal për Olsin? Aty mund të jesh kreativ, e lë fantazinë të shëtitë ngado dhe sa mundet, po aty mund ta marrësh në dorë edhe timonin e të nisesh në ujëra të tjerë për të zbuluar sfida të reja e suksese po ashtu.

Olsi, nesër mbrëma do të zbulojë të rejat nga projektet e tij të fundit, por njëkohësisht do të rrëfejë edhe shumë nga sekretet e tij që vetëm para fëmijëve mund të zbulohen. Vetëm se nuk do të shpëtojë as nga ca pyetje për jetën private. Të dashurën?

Samanta Karavella

E ka nisur edhe ajo rrugëtimin në muzikë si në një anije Piter Pani. Ishte ende e vogël kur shfaqi talentin në muzikë dhe ëmbëlsinë skenike në “Ethet e së premtes mbrëma”. Shumë vite pas atij kompeticioni, Samanta numëron me dhjetëra hite, shumë bashkëpunime dhe qindra koncerte brenda dhe jashtë vendit.

Megjithatë, ajo flet rrallë për sukseset, ashtu si edhe për jetën jashtë muzikës. Por nesër mbrëma, nuk do ta ketë aq të thjeshtë të shpëtojë nga anija dhe fëmijët që do ta futin në kurth. Se sa dhe si do t’ia dalë Samanta, ndiqeni më mirë nesër mbrëma. Surprizat nuk zbulohen para kohe.