“Taramelja” nuk është më ai që njihni. Jo vetëm që është një vit më i rritur, por edhe me një shkronjë më tepër. Xheison Bafti, vogëlushi 9-vjeçar që mori vëmendjen e të gjithëve në sezonin e dytë të Piter Panit, është rikthyer edhe një vit më vonë. Sonte, në natën e dytë të këtij edicioni, hapjen e bëri pikërisht ai, Xheisoni. Por një vit më i rritur, një vit më i pjekur dhe, "për fatin tonë të keq", pa T-në e tij karakteristike.

Sapo nisi prezantimin e tij, Alketa tha se personazhi që i bëri të gjithë për vete sezonin e kaluar, jo vetëm për të folurën karakteristike, humorin që krijoi, por edhe historinë e pazakontë familjare, tashmë nuk është më ai që kemi njohur: “...Ai ka filluar shkollën këtu në kryeqytet dhe ata që ishin të shqetësuar për “T” e tij dhe na kritikuan dhe na thanë që po bënim show, dua t’u them me keqardhje që nuk e çuam tek logopedisti, thjesht pritëm që ai të rritej. “T”-ja ka ikur dhe ai nuk e thotë më. Kështu që Taramelja është bërë Karamele. Ishte proces i rritjes. Është bërë çun i madh tani dhe Xheisoni nuk e thotë më “T”. Jam shumë e mërzitur sepse ishte lezeti dhe kripa”, – tha moderatorja dhe menjëherë u shfaq në skenë Xheisoni.  

Në një “test” të shkurtër me Alketën, Xheisoni i tha të sakta të gjitha fjalët, me të cilat ne kishim qeshur pa fund një vit më parë. Edhe taramelet, tani janë karamele. Sa keq...

Xheison ka nisur shkollën në Tiranë prej një viti tashmë, por tha se e merr malli për të gjithë shokët në Myshqeta, fshatin e tij të dashur, me fushat me gjelbërim e me ajër të pastër.