Pas viteve të gjata pune dhe kontributi, pensioni është shpërblimi. Por në Shqipëri, pensioni i një burri është 23% më i lartë se i një gruaje. Pensioni i pleqërisë për një burrë vlerësohet të jetë 16 107 lekë në muaj, ndërsa një grua merr një pension mesatar prej 13 054 lekë në muaj.

Megjithatë, hendeku gjinor i pensioneve vijon të mbetet i lartë edhe në Bashkimin Europian. Sipas të dhënave të Eurostat, në 2018-n gratë mbi 65 vjeç, në Bashkimin Europian marrin një pension, i cili është mesatarisht 30% më i ulët se sa ai i burrave. Gjithsesi, me kalimin e kohës, hendeku gjinor i pensioneve është ulur me 4 pikë përqindje krahasuar me 2010-n, ku hendeku gjinor midis pensioneve ishte 34%.

Megjithëse gratë morën pensione më të ulëta në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, diferenca midis pensionit të një burri dhe një gruaje varion nga njëri shtet në tjetrin.

Ndryshimi më i madh është vërejtur në Luksemburg, ku gratë e moshës mbi 65 vjeç morën një pension 43% më të vogël se burrat. Luksemburgu është ndjekur nga Malta me një diferencë 42%, Holanda me 40%, Austria me 39%, Qipro me 38% dhe Gjermania me 37%.

Nga ana tjetër, diferencat më të vogla në të ardhurat nga pensionet midis grave dhe burrave janë regjistruar në Estoni (1%), Danimarkë (7%), Sllovaki (8%), Çeki (13%) dhe Hungari (16%).

Në krahasim me vitin 2010, hendeku i pensioneve gjinore është zvogëluar në shumicën e shteteve anëtare të BE-së. Uljet më të dukshme janë shënuar në Greqi (nga 37% në 2010 në 25% në 2018, Danimarka me -11%, Belgjika dhe Sllovenia (të dyja me -10%) si dhe në Francë (me -9%).

Në të kundërt, hendeku i pensioneve gjinore u rrit në shtatë shtetet anëtare të BE-së që nga viti 2010. Rritja më e madhe u vërejt në Maltë (nga 22% në 2010 në 42% në 2018, ose me 20 pikë për qind më shumë), e ndjekur nga Letonia (me +9%) dhe Kroacia (+4%).

Burimi:Monitor