Vrasja në Durrës gjatë paradites së të mërkurës, ku bashkëshorti i mori jetën me levë hekuri gruas së tij brenda në dyqanin e metrazheve që ata dispononin prej vitesh ishte tronditëse jo vetëm për pasojat e rënda, por edhe për mënyrën makabre si ishte kryer akti, detaje të cilat autori i krimit i zbardhi përpara policisë dhe forcave gjyqësore.

Ngjarja ndodhi në lagjen Nr. 12, Durrës, ku Rruzhdi Tosuni, 63 vjeç,  pas disa konflikteve i mori jetën bashkëshortes së tij Hajdije Tosuni, 59 vjeçe. Përpos ngjarjes së rëndë, videoja që qarkulloi vetëm pak minuta pas vrasjes, ku në të dëgjoheshin britmat e vajzës që babai i kishte vrarë nënën ishin rrënqethëse dhe për fat të keq videoja u bë virale brenda pak kohësh.

Vajza quhet Santiljana Tosuni dhe është e bija e Dijes së ndjerë dhe e Rruzhdiut që tashmë gjendet pas hekurave. Pikërisht pas shkrimeve dhe shpërndarjes në masë të kësaj videoje, vetë Ana ka reguar virtualisht përmes një postimi prekës ku me fjalë zemre përshkruan gjithçka, ndërsa ka një lutje për të gjithë ne...Postimi në vetvete mbart një mesazh të fuqishëm!

“Unë jam vajza e videos së famshme. Unë jam Ana. Vajza e vogël e Dijes. Unë jam ajo që ulërija e vajtoja shpirtin e shpirtit tim, nënën time fatkeqe, nënën time të mjerë. Nënën që kaloi gjithë jetën në vuajtje për të na rritur ne. Po e bëj këtë postim për ju portale të famshme dhe për ju njerëz që villni vrer e përfitoni në hallin që më ka zënë mua sonte. Në atë hall që unë do mbaj gjithë jetën mbi supe. Ju sigurisht e pas dy tre ditësh nuk do e kujtoni më emrin tim apo të nënës time.

Me shumë mundësi pas një muaji do keni harruar dhe ngjarjen. Po ju shkruaj që t’ju bëj një thirrje të gjithëve. Fshini videon time, mos u merrni më me mua.

Mjaft e keqpërdorët për disa like të fëlliqura apo komente. Unë jam ajo që trokiti në dyer të afërmish që bënin sikur s’ma dinin hallin, dyer doktorësh që më përcollën duke më thënë që s’kam pse shqetësohem, dyer policash që se gjykuan si shumë të rëndësishëm rastin e mamasë time. Po mami im, Dija ime, ishte një grua e zakonshme me një fuqi të jashtëzakonshme, që duroi 30 vjet në një martesë, punoi me ndershmëri për të rritur e shkolluar tre vajza.

Dija mund të ishte motra jote, mami jot, vajza jote. Dija mund të jetë të gjitha këto e ti se di akoma. Ti mund ta kesh Dijen në shtëpinë ngjitur dhe bën sikur se dëgjon se nuk është puna jote. Dhe sot ti poston për Dijen, komenton për Dijen, flet për Dijen. Epo sot ajo s’të dëgjon dot më. Mjaft o njerëz të fëlliqur, mjaft u morët me ne tani që s’ua kemi më nevojën. Unë jam Ana dhe sot (dje) varrosa Dijen. Uroj që ti mos të bëhesh kurrë Ana"!