Nesër mbrëma është nata e tretë e edicionit të tretë të spektaklit të mezipritur të fëmijëve dhe të rriturve. Aventurierët e vegjël të anijes së re të Piter Panit, që tashmë ka nisur lundrimin, dalëngadalë po mësohen me “profesionin” e tyre të ri.

Gazetarët e ardhshëm kanë shfaqur qysh në javën e parë aftësitë e tyre, madje duket se nuk e kanë fare problem të vënë në siklet dhe t’u drejtojnë lloj-lloj pyetjesh pikante të ftuarëve.

Olta Gixhari

Shfaqja “Pamje nga Ura” e shumë viteve më parë mbetet edhe sot jo vetëm një prej realizimeve më të mira të teatrit shqiptar, por edhe një vepër shumë e rëndësishme për aktoren Olta Gixhari, e cila, nëse nuk do të luante në një dramë si ajo, sot mund të mos ishte Olta që njohim të gjithë. “Pamje nga ura” ka ndikuar shumë në famën e Olta Gixharit, por edhe rolet e tjerë të mëvonshëm, jo më pak se ai.

Për profesionin e saj, projektet e reja, por edhe për dramën e fundit të qytetit të saj, Olta do të flasë nesër mbrëma përballë fëmijëve.

Baton Haxhiu

Meqenëse është gjithmonë atje ku vatra e debatit është më e nxehtë, gazetari dhe opinionisti i njohur Baton Haxhiu, nesër mbrëma ka vendosur të arratiset e të lundrojë për pak kohë me anijen e Piter panit dhe kapitenët e saj.

Një nga gazetarët dhe opinionistët që i bën të gjithë të heshtin. Sa herë flet Batoni, të tjerët kanë diçka për të mësuar gjithmonë prej tij. Ka punuar si gazetar e drejtues në shumë media në Kosovë e Shqipëri, është gjithmonë i pranishëm në studio televizive ku kërkohet një zë opozitar për politikën, problemet sociale dhe çdo gjë që ka nevojë shoqëria jonë. Batoni nuk tutet kurrë për ta thënë fjalën e tij dhe as për të goditur çdo fenomen që nuk i shkon për shtat politikës shqiptare në përgjithësi dhe shoqërisë sonë.

Para fëmijëve të Piter Panit, me siguri Batoni do të ketë shumë për të folur, madje pa kursyer as emra (nëse ata do ta pyesin).