Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë. Një infermiere 34-vjeçare, që shërbente në spitalin San Gerardo në Monza, ka vrarë veten, pasi ka rezultuar pozitive me COVID-19.

Mediat italine shkruajnë se stresi, lodhja, ndoshta edhe shqetësimi se mund të kshte infektuar individë të tjerë, e kanë çuar infermieren drejt vetëvrasjes.

Lajmin e dha Federata kombëtare Italiane e Infermierëve me një njoftim ku shprehte “të gjithë dhimbjen dhe shqetësimin e infermierëve për vdekjen e koleges së re dhe të të gjithë 450 mijë profesionistëve të Italisë që po luftojnë të bashkuar rreth familjeve, miqve e kolegevë të tyre”.

Infermieria, Daniela Trezzi, punonte në repartin e terapisë intensive të spitalit San Gerardo, i cili ishte një nga vendet më të mëdha që po luftonte kundër pandemisë.

Ky është vetëm rasti i fundit i një ngjarjeje të tillë, pasi një javë më parë një tjetër infermiere në Venezia vrau veten.

“Është një ngjarje analoge me të njëjtin motivacion dhe megjithëse ne urojmë të kundërtën, mund të mos jetë i fundit”,- thuhej në raportin e Federatës.