Dëshira për të parë se si zhvillohet një orë mësimi online më dërgoi në faqen e YouTube-t të Ministrisë së Arsimit, ku mësues të lëndëve të ndryshme shpjegojnë – përgjithësisht në PowerPoint ose në dërrasë – mësimet e ditës. E kam cekur edhe në një tjetër artikull që në parim nuk jam kundër mësimit online, përkundrazi jam e mendimit që duhet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si zhvillohet mësimdhënia në shkollat e vendit, mirëpo këtu jemi për të diskutuar një tjetër çështje, që për ironi të fatit na e vuri në dukje interneti – gjuha shqipe.

Unë nuk jam eksperte e matematikës, kimisë a fizikës, pra nuk di të vlerësoj një orë të mirë mësimore në kimi e kështu me radhë, mirëpo si një ish-studente e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më bëri përshtypje organizimi skandaloz – ndjesë për përdorimin e kësaj fjale, por vështirë të gjeja një tjetër mbiemër – i orës mësimore në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë.

Siç mund ta shihni në vijim, në faqen e Ministrisë së Arsimit shpjegohen ndër të tjera tiparet e esesë paraqitëse shkak-pasojë si edhe merret në analizë “Pallati i Ëndrrave” i Ismail Kadaresë. Duket se ALT+0235, ALT+0203, ALT+135, ALT+128 (përkatësisht ë, Ë, ç dhe Ç) janë terma të panjohur për aq kohë sa mungojnë në të gjitha Slide-et prezantuese të mësimit.

Ndoshta do ta kisha anashkaluar si problem në rast se mungesa e shkronjës “ë” dhe “ç” do të ishte problemi i vetëm, mirëpo në pjesën dërrmuese të faqeve vihen re fjali pyetëse pa pikëpyetje, fjali që përfundojnë dhe nuk kanë pikë, temat nuk vendosen në thonjëza, mungon dukshëm redaktimi dhe numërohen me dhjetëra fjalë të shkruara gabim.

Si për ironi, në mësim i mëshohet faktit që në ese ka rëndësi përdorimi i shenjave të pikësimit dhe drejtshkrimi, ku ndërkohë në po të njëjtën faqe, shenjat e pikësimit mungojnë dhe fjalët shkruhen gabim. Ndoshta është koha të mësoni që “standarte” NUK ekziston si fjalë. Shkruhet “standarde".

Pra, kur një orë mësimi e tillë na shfaqet si pa të keq në organin më të lartë arsimor në vend, që supozohet të jetë model, çfarë duhet të presim nga brezi i ardhshëm? A mos është shqipja në ditët e saj më të errëta? Do të doja ta kundërshtoja veten, do të doja të më kundërshtonit, mirëpo përballë një ore mësimore të tillë, njerëzit edhe nuk kanë faj kur shkruajnë me gabime.

Ndoshta shqipja nuk është në ditët e saj më të errëta, por me gjasë ditë të errëta e presin.

Marrë nga Anabel