Në një sondazh të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, i realizuar me 90 kompani, pjesa më e madhe e të anketuarve thanë se ata mund të rezistojnë maksimumi edhe një muaj dhe më pas do të detyrohen të dorëzohen, duke mbyllur aktivitetet, nëse gjendja vazhdon po njësoj.

Sipërmarrjet kanë raportuar probleme me furnizimin me lëndë të lartë nga importi, rënie të porosive nga partnerët, çka ka çuar dhe në tkurrje të shitjeve e të ardhurave. Kjo situatë ka krijuar probleme likuiditeti, duke krijuar pamundësi si për pagimin e detyrimeve ndaj shtetit, ashtu dhe për dhënien e pagave të punonjësve.

61% e firmave raportuan se në muajin mars shitjet ranë më shumë se 50% dhe 5% raportuan se nuk kishin fare shitje (rënie 100%). Pritshmëritë janë më pesimiste për prillin. 21% e të anketuarve thanë se nuk presin të kenë fare shitje në prill (rënie 100% e shitjeve).

63% e të anketurave pohojnë se mund të përballojnë pagat për një muaj (marsin), ndërsa 18% nuk mund të paguajnë as marsin. Vetëm 8% e të anketuarve thanë se mund të paguajnë të punësuarit për më shumë se dy muaj, nëse vazhdon një situatë e tillë.

Për shkak të situatës së krijuar, 70% e të anketuarve thanë se po planfikojnë shkurtim të punonjësve.

Pjesa më e madhe e atyre që raportuan shkurtime, planifikojnë të reduktojnë 50-90% të personelit (57%), ndërsa 11% raportojnë se nuk do ta mbajnë fare personelin në punë.

Jo vetëm për pagat, sipërmarrjet raportojnë që nuk kanë mundësi as të paguajnë taksat. 77% e të anketuarve thanë se nuk kanë likuiditetet të mjaftueshëm për të paguar detyrimet ndaj shtetit.

Por, sa mund të rezistojnë kompanitë prodhuese në këtë situatë?

64% e të anketuarve thanë se mund ta mbajnë aktivitetin maksimumi edhe një muaj të hapur, nëse vazhdon kjo situatë. Vetëm 13% mund të rezistojnë më shumë se 3 muaj.

Burimi: Monitor.al