Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në spitalin infektiv ka ndërruar jetë një pacient 75-vjeçar, duke e çuar kështu në 17 numrin e personave që kanë vdekur në vend nga koronavirusi.

“Pacienti ka mbërritur në spital në gjendje të rëndë, teksa vuante nga post-hemorragjia cerebrale, diabeti dhe hipertensioni. Pacienti me inicialet A.C., ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitiv me Covid19, ndërkohë që, gjendja e tij shëndetësore është rënduar në mënyrë të menjëhershme.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv për ta asistuar në kohë rekord, pacienti nuk ia ka dalë të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe u bën edhe një herë thirrje qytetarëve, që të zbatojnë në mënyrë rigoroze masat e distancimit social dhe të izolimit, të cilat janë të domosdoshme për frenimin e përhapjes së COVID-19”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Burimi: A2News.Com