E dimë që ëmbëlsirat janë të preferuarat tuaja në fundjavë, prandaj nesër që është e diel lejojini vetes ta shkelni dietën dhe përgatisni një kek me karota. Recetën e gjetëm në kanalin në YouTube të këngëtares Nertila Koka, e cila ka ndarë me ndjekësit hap pas hapi mënyrën si e përgatit ajo kekun. Ne nuk i rezistuam dot dhe po i përvishemi punës që tani.

Përbërësit:

• 50-60 gr arra të shtypura

• 300 gr karota të grira

• 200 gr sheqer

• 3 vezë

• 200 ml vaj luledielli

• 225 gr miell

• 1 lugë kafe sodë buke

• 1 lugë kafe pluhur pjekës

• kripë

Për përgatitjen e kremit ju duhen:

• 200 gr Philadelphia

• 2 lugë gjelle sheqer pluhur

• 2-3 lugë gjelle limon

Mënyra e përgatitjes:

Fillimisht ngrohni furrën në temperaturë 180 gradë C. Më pas bashkoni sheqerin me vajin dhe përziejini me një mikser apo rrahëse vezësh. Shtoni vezët një nga një duke vazhduar me përzierjen.

Në një enë tjetër përzieni kripën, miellin, sodën e bukës dhe pluhurin pjekës. Pasi t’i keni përzierë mirë, shtojini tek ena ku ndodhen vezët dhe përzieni sërish me mikser derisa të formohet një masë kremoze brumi. Masës shtojini karotat dhe arrat dhe përzieni mirë.

Brumin hidheni në një tavë ku fillimisht keni shtruar letër kuzhine për pjekje (diametri i enës të jetë rreth 22-23 cm) dhe piqeni për 40-45 minuta në temperaturë 180 gradë.

Teksa keku ftohet, përgatisni kremin.

Në një enë, përzieni mirë me lugë Philadephia-n, sheqerin pluhur dhe lëngun e limonit, derisa të formohet kremi. Pasi keku të jetë ftohur, lyeni të gjithë sipërfaqen e tij me kremin e përgatitur dhe sipër shtoni arrat.

Të shpjeguar hollësisht e gjeni në videon e mëposhtme.